Doli nga shtypi “Historia e Kosovës” e autorit Jusuf Buxhovi

Prishtinë, 23 janar 2012
Këto ditë doli nga shtypi “Historia e Kosovës” e historianit Jusuf Buxhovi. Libri ka tri vëllime: Antika dhe mesjeta, Perandoria osmane dhe Nga konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar. Botues të këtij projekti, të parit në historiografinë shqiptare, janë “Faik Konica” nga Prishtina dhe “Jalifat Publishing” nga Hjustoni i SHBA-ve.
“Kosova” e Jusuf Buxhovit është libri i parë historiografik i kësaj natyre. Në hyrje, autori bën të ditur se fjala është për një shkrim gjithëpërfshirës të historisë shqiptare nga antikiteti e deri në kohën tonë, ku Kosova jo vetëm që nuk shihet e shkëputur nga koncepti i Shqipërisë së natyrshme, por ajo paraqitet si qendër e saj shpirtërore, kulturore dhe shtetërore. Me këtë rast, autori, fokusimin e përqendron te Pellazgët, ku Dardanët dhe Dardania paraqiten trungu kryesor i asaj që më vonë njihet si vazhdimësi iliro-shqiptare.
Duke shfrytëzuar shumë burime nga historiografia botërore, veçmas ato nga autorët antikë, Buxhovi nxjerr përfundimin se Dardanët janë themelues të Trojës dhe bartës të qytetërimit antik, i cili me pa të drejtë u është atribuuar grekëve, të cilët erdhën shumë vonë dhe përvetësuan gjithë qytetërimin pellazg, madje edhe shkrimin e tyre. Sipas Buxhovit, edhe eposi i madh botëror “Iliada” dhe filozofia antike paraqesin trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve.
Shikuar nga ky prizën, “Kosova” e Buxhovit historinë shqiptare e zhvendos nga mileniumi i dytë (teoria ilire) te ai i katër, gjë që duke u ndërlidhur me Pellazgët, atë e kthen në qendër të antikitetit. Autori, po ashtu, edhe themelimin e Perandorisë së Romës dhe të të Bizantit e lidhë me trashëgiminë pellazge (dardano-ilirët), ku ata dalin si bartës të qytetërimit perëndimor, por edhe të ngrehinave të tyre politike dhe shtetërore.
Një rishikim tjetër është edhe ai që ka të bëjë me të ashtuquajturin shteti mesjetar serb dhe kishë mesjetare serbe, të cilat Buxhovi i sheh si konstrukte të historiografisë hegjemoniste serbomadhe të shekullit të kaluar, gënjeshtrat e së cilës, për fat të keq, i ka pranuar edhe historiografia ideologjike shqiptare, të cilat, edhe sot e gjithëditën, vazhdon t’i përdor “si të vërteta historike”. Duke u bazuar në një faktografi shkencore, Buxhovi nxjerr përfundimin se në mesjetë nuk ka pasur shtet serb, e as kishë serbe, pos zhupani, të cilat kanë qenë pushtuese dhe në dëm të etnisë arbërore, mbi të cilën pastaj është ndërtuar miti mesjetar serb. Buxhovi, madje vlerëson se edhe e ashtuquajtura Rashkë, që proklamohet si “qendër e shtetit serb”, ka të bëjë me Tribalët (Dardanë të sllavizuar).
Rishqyrtime të rëndësishme paraqiten edhe në pjesën që ka të bëjë me Perandorinë osmane dhe me krizën lindore në përgjithësi, ku po ashtu, Kosova shfaqet si qendër e gravitetit politik dhe kulturor shqiptar, (Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Revolucioni Xhonrturk dhe Katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës, të vitit 1912), që i ka paraprirë pavarësisë së Shqipëri.
Me interes është edhe pjesa e tretë, ajo e shtetformimit shqiptar, me ç’rast autori sjell një pamje tjetër nga ajo që është parë nga historiografia ideologjike shqiptare./e.d/

Komentoni artikullin