INPO: Të mos paralizohet jeta publike në Ferizaj

Ferizaj, 20 mars 2012
“Pas konfirmimit nga ana e Gjykatës Supreme të dënimit të Kryetarit të Komunës së Ferizaj z. Bajrush Xhemaili organizata Iniciativa për Progres (INPO) kërkon nga institucionet lokale dhe qendrore të veprojnë konform Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale në atë mënyrë që të mos paralizohet jeta publike në Ferizaj. Konkretisht, që nga momenti i shpalljes së Aktgjykimit nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës, konform pikës g) dhe h) të nenit 56.3 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale në Kosovë mandati i Kryetarit të Komunës së Ferizajt ka përfunduar. Rrjedhimisht, institucionet përgjegjëse për shpalljen e zgjedhjeve duhet të shpallin zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Ferizajt, siç parashihet me nenin 11.2 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.
Rikujtojmë, që INPO kishte bërë thirrje për mos kandidim të z. Bajrush Xhemaili në vitin 2009 derisa të mos sqarohej dhe të përfundonte gjykimi për aksidentin e shkaktuar, në atë mënyrë që të mos përballemi me kriza politike në gjysmë të mandatit në rast se do të dënohej, dhe është pikërisht kjo arsye që qytetarët e Ferizajt do të duhet të ju drejtohen edhe njëherë kutive të votimit për zgjidhjen e një krize politike.
INPO bënë thirrje për respektim dhe veprim konform ligjeve në fuqi dhe kërkon nga Komuna e Ferizajt të tregohet efikase dhe e përgjegjshme në menaxhimin e çfarëdo situate që mund të paraqitet si rrjedhojë e këtij Aktgjykimi nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës”, thuhet në kumtesën e INPO-së.

Komentoni artikullin