Podujevë: Prodhuesit e patates bllokojnë magjistralen

Podujevë-Prishtinë, 20 mars 2012(16.30)
Dhjetëra prodhuese të patates, në shenjë pakënaqësie ndaj mos bështetjes së tyre nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Qeveria e Kosovës, e cila, sipas tyre, nuk po bënë asgjë për të eliminuar barrierat që atyre u vihen në eksportimin e patates, me traktorë dhe mjete të tjera bujqësore kanë bllokuar për rreth 10 minuta rrugën në fshatin Vranidoll, pjesë kjo e magjistrales Prishtinë- Podujevë. Përderisa zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se çështjet tregtare dhe problemet tregtare, nuk janë në mandatin e tyre për t’i zgjidhur, por se kanë thënë se qëndrojmë në linjë të plotë me institucionet përkatëse, të cilat kanë paralajmëruar aplikimin e vlerave referuese.
Gani Dobratiqi, fermer nga fshati Vranidoll, me këtë rast ka thënë  se nëse brenda 10 ditësh nuk rregullohet çështja e pengesave që u shkaktohen atyre, si në rastin e Shqipërisë, e cila aplikon çmimin e referencës, duke pamundësuar kështu eksportin e patates në këtë vend, prodhuesit kanë paralajmëruar se patatet e mbetura do t’i hedhin në oborrin e Qeverisë së Kosovës si dhe do t’i radikalizojnë veprimet e tyre.
Ndërsa, Blerim Vërbovci, fermer nga fshati Vranidoll, duke folur për vështirësitë e kultivuesve të patates ka drejtuar akuza të rënda në drejtim të Ministrisë së Bujqësisë, asaj të Tregtisë, por edhe mbi qeverinë.
Në shenj revolte, fermerët, për 10 minuta kanë bllokuar rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë, edhe pse një gjë e tillë u tentua të pengohej nga Policia, mirëpo fermerët ishin të vendosur dhe të gjithë vendosën traktorët të mbushura me patate në mes të rrugës. Në përkrahje të fermerëve ishte edhe Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës Tahir Tahiri, i cili para protestuesve ka thënë se Ministria e Bujqësisë, dhe ajo e tregtisë, po i shkel marrëveshjet e arritura me Sindikatën e Bujqve, prandaj janë detyruar të dalin në rrugë.
Adil Behramaj, zëdhënës i MBPZHR, ka thënë për Kosovapress se çështjet tregtare nuk i takojnë Ministrisë së Bujqësisë.
“Çështjet tregtare dhe problemet tregtare, nuk janë në mandatin tonë si ministri për t’i zgjidhur, por edhe ne qëndrojmë në linjë të plotë me institucionet përkatëse, të cilat kanë paralajmëruar aplikimin e vlerave referuese reciproke për secilit vend që krijon konkurrencë të pabarabartë për prodhuesit tonë në tregun e tyre”, ka thënë Behramaj.
Pas 10 minutave të bllokimit të rrugës fermerët janë shpërndarë të qetë, mirëpo kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave të tyre./kosovapress/

Komentoni artikullin