Thaçi: Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet dhe kriteret evropiane

Prishtinë, 27 Mars 2012 (16.00)
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në një takim Komisionarin e lartë për Zgjerim të BE-së, Štefan Füle, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë. Pas takimit kryeministri Thaçi dhe komisionari i lartë i BE-së, Fyle dhanë një konferencë shtypi.
“Ky akt për mua dhe Qeverinë e Kosovës, qytetarët e Kosovës është jashtëzakonisht i rëndësishëm në historinë e re të Kosovës në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Konkretisht, Kosovës i ofrohet mundësia për nënshkrimin e marrëveshjeve kontraktuale me Bashkimin Evropian. Kjo nënkupton trajtimin e njëjtë dhe barabartë të Bashkimit Evropian edhe për Kosovën.
Prandaj, falënderoj Komisionarin Füle për prezencën e tij sot në Kosovë, gjithashtu edhe pjesëmarrjen e tij në formimin dhe themelimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropiane dhe fillimin e Studimit të fizibilitetit, i cili ka për qëllim vlerësimin dhe skanimin e gjendjes praktike në Kosovë dhe rekomandimin e fillimit të fillimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ne ishim së bashku edhe në themelimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, të udhëhequr nga presidentja, ku ishin prezent edhe përfaqësuesit e një pjese të opozitës, shoqërisë civile, medieve, komunitetit të biznesit.
Mendoj se ky është një hap i rëndësishëm i përkushtimit të përbashkët të politikës, institucioneve, shoqërisë civile, është një konsensus shtetëror, politik dhe qytetar për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Prezenca e sotme e z. Füle në Prishtinë është mbështetje dhe inkurajim i ri për neve. Në ditët e ardhshme, ministrat e Qeverisë së Kosovës do të jenë në Bruksel. Shumë shpejt presim të marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet dhe kriteret e nevojshme demokratike në mënyrë që të lëvizim shpejt në një afat rekord për implementimin e këtyre kritereve dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian.
Në takimin që zhvilluam me z. Füle diskutuam edhe rrjedhat politike , bashkëpunimin e Kosovës me vendet fqinje, për implementimin e të gjitha marrëveshjeve teknike midis Kosovës dhe Serbisë dhe natyrisht për rajonin që të evropianizohet sa më shpejtë që është e mundur”, tha kryemnistri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit që pati me komsionarin e Lartë për Zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle .

Komentoni artikullin