Hidhet poshtë padia e Latif Gashit kundër Agron Bajramit

Prishtinë, 27 mars 2012
Gjyqtarja e Gjykatës Komunale në Prishtinë, Shpresa Hyseni, nuk është marrë fare të mërkurën me një padi penale për shpifje të ushtruar nga deputeti i PDK-së, Latif Gashi, kundër kryeredaktorit të “Kohës Ditore”, Agron Bajrami.
Vendimin e kësaj gjyqtareje palëve ua ka komunikuar asistentja e saj, e cila ka njoftuar se meqë Gjykata Supreme e Kosovës ka dekriminalizuar shpifjen dhe fyerjen, padia është hedhur poshtë.
Gashi kishte paditur kryeredaktorin e “Kohës Ditore”, Agron Bajramin, për shkak të botimit të një analize të amerikanit, David Philips, me titull Shtetndërtimi në Kosovë. Me atë shkrim ai konstatonte se shteti i Kosovës udhëhiqet nga, sipas tij, organizata kriminale, siç është Shërbimi Informativ i Kosovës, i cili nëpërmjet haraçit e veprimeve të tjera fiton deri në 200 milionë dollarë në vit. Në këtë analizë ai kishte përmendur edhe ish-drejtorin e ShIK-ut, Latif Gashin, i cili po pretendon se gazeta ka shpifur, duke e ribotuar këtë analizë, që ishte shkruar për “World Policy Journal”.
Ka reaguar pas seancës edhe Latif Gashi. Ai ka thënë se ka ndjekur një procedurë për të dhënë shembull se si zgjidhen problemet.
Gjykata do t’i njoftojë palët në procedurë me shkrim se cilat janë rrugët e tyre ligjore, që duhet ndjekur më tej.

Komentoni artikullin