Futboll: Milan-Barcelona 0:0

Milano, 28 Mars 2012 (22.35)
Milani dhe Barcelona kanë luajtur baras pa gola në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve që u zhvillua të mërkurën mbrëma në San Siro.
Në fillim të ndeshjes, Robinho pati një rast të qind për qindtë, mirëpo braziliani dështoi të shënonte. Më pas Lionel Messi kërcënoi ekipin vendas, mirëpo aty ishte Abbiati.
Pas një ndërhyrjeje të portierit rossoner kundrejt Alexis Sanchez, ishte një situatë e dyshimtë për penalti, por kështu nuk mendoi gjyqtari. Zlatan Ibahimovic pati një rast shumë të mirë për t’i kaluar vendasit në epërsi, mirëpo Valdes rezultoi më i suksesshëm.
Në vazhdim, Barcelona filloi të impononte lojën e vet duke krijuar rast pas rasti, ndërkohë që kohë pas kohe lojtarët e Milanit shfaqeshin të rrezikshëm. Sido që të jetë, pas 45 minutash rrjetat heshtën.
Edhe në fraksionin e dytë të lojës, Blaugranët vazhduan me posedimin e topit, mirëpo vetëm për pak minuta diktuan tempin e lojës.
Vendasit dalëngadalë filluan të ktheheshin në lojë dhe të pengonin mysafirët që të realizonin pasimet e tyre tipike, ashtu që loja bartej sa në një anë ashtu edhe në anën tjetër të fushës.
Megjithatë, edhe në vazhdim, katalunasit ishin skuadër më e mirë sa i përket menaxhimit të lojës, përkundër se nuk mund ta thyenin mbrojtjen e fuqishme të Rossonerëve.
Rastin më të mirë në pjesën e dytë e pati Leo Messi, mirëpo Abbiati e mbajti të paprekur portën e tij.
Ana pozitive e këtij rezultati për Milanin është mospranimi i golit në terren vendas, ndërkohë që sa i përket Barcelonës, tifozët në Camp Nou do të jenë një shtytje e madhe. Sido që të jetë, gjithçka është hapur, raporton telegrafi.

Komentoni artikullin