5 femrat më të suksesshme në ndërmarrësi

1Prishtinë, 29 mars 2013
Për nder të muajit të gruas dhe me qëllim të promovimit dhe ngritjes të ndërmarrësisë së femrave në Kosovë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike të Grave G7, në kuadër të projektit “Ditët e Biznesit të Vogël 2013” organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për 5 femrat më të suksesshme në ndërmarrësi.
Në fjalën e saj hapëse, zv/kryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila tha: “Gratë e pavarura financiarisht, jo vetëm që janë shtyllë e familjes dhe që mund të tregojnë se marrin vendime për vetveten, janë më të zëshme në familje dhe shoqëri. Këto gra, kanë më pak shanse që t’i ekspozohen dhunës dhe çfarëdo margjinalizimi që i bëhet femrës në shoqërinë në tranzicion”, theksoi Kusari-Lila, duke shtuar se ministria që ajo e drejton është e përkushtuar që përmes projekti “Ditët e Biznesit të Vogël” dhe aktiviteti të programit “Gratë në Lidership dhe Ndërmarrësi” të rrisë vetëdijen për rëndësinë dhe rolin e gruas në shoqëri dhe ndërmarrësi. Si mesazh të fundit, ajo tha “Fuqinë nuk ua jep askush, atë mund ta fitoni vet”.
Edhe Aferdita Saraçini Kelmendi, Kryetare e Dhomës Ekonomike të Grave në Kosovë i falënderoi gratë afariste se edhe më tutje ta kenë guximin e treguar deri më tani në afarizëm.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga potencoi se ne si shoqëri duhet të luftojmë për realizimi e të drejtave të çdo qytetari. “në momenti që gratë shihen në çdo fushë, si në atë të ekonomisë, politikës dhe në fushën sociale, ato mbeten burim kapital dhe human i një vendi”, theksoi presidentja Jahjaga.
Fjalim për fuqizim të grave dha edhe znj.Tracy Ann Jackobson, ambasadore e SHBA-së në Kosovë, e cila përgëzoj nismën e përzgjedhjes së 5 femrave më të suksesshme në ndërmarrësi.
Pas fjalimeve, zv/kryeministrja Mimoza Kusari-Lila dhe Aferdita Saraçini- Kelmendi iu ndanë mirënjohje të gjitha pjesëmarrëseve.
Femra më e suksesshme e vitit u shpall Gëzime Rexhepi Qorolli, e cila fitoi shpërblim prej 1000 euro. Për katër çmimet tjera Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ndau nga 500 euro dhe një lule në shenjë simbolike për jetëgjatësinë e bizneseve të tyre. Vesa Gashi pronare e ndërmarrjes “Finese” Sh.P.K, u shpallë femra më e suksesshme për ide kreative, Çmimi për femrën më të suksesshme në sferën e shërbimeve iu dha Besa Berishës, pronare e ndërmarrjes N.Sh.”Univerzum Audit”, femra më e suksesshme në tregti për vitin 2012 u shpall Resmije Dushi, pronare e ndërmarrjes NTP “Legjenda” si dhe femra më e suksesshme në prodhim u shpall Luljeta Ibraj pronare e DPZ “Tradita”.
Vlerësimet bazë për përzgjedhjen e femrave të suksesshme ishin: Rritja e numrit i punëtorëve, rritja e shumës së qarkullimit, kohëzgjatja e të bërit biznes dhe kreativiteti i biznesit.
Ndërsa komisioni i përbërë për përzgjedhjen e 5 femrave më të suksesshme ishin Ardiana Bunjaku, përfaqësuese e Dhomës Ekonomike të Grave-G7, Samire Pireva, përfaqësuese nga Agjencia për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, Yllka Emini nga Administrata Tatimore e Kosovës, Fllanza Mejzini përfaqësuese nga Dogana e Kosovës dhe Pranvera Presteshi nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.
Kjo ngjarje do të jetë e përvitshme, dhe do të mbahet në kuadër të Ditëve të Biznesit të Vogël.

Komentoni artikullin