Maqedonia me qëndrime ndryshe për pronat e Kosovës

Kosova kërkon kthimin e pronave
Shkup,07.05.2011(16.45)
Ndonëse ende nuk ka nisur asnjë aktivitet për ndarjen e pasurisë, apo kthimin e pronave qoftë të individëve apo të ndërmarrjeve të përbashkëta nga periudha e ish-federatës Jugosllave, Maqedonia shprehet e gatshme të japë kontributin e saj për zgjidhjen e të gjitha kontesteve të mundshme pronësore juridike me Kosovën, në kuadër të ndonjë nisme që mund të paraqitet nga Prishtina zyrtare.
“Ne gjithsesi se do të mbështesim çdo zgjidhje, e cila do të arrihet në kuadër të bisedimeve dypalëshe, por edhe të niveleve tjera që edhe Kosova të marrë pjesën e vet të pronave nga ish-Jugosllavia, që në të ardhmen e afërt mund të jetë edhe një nga temat e bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thotë Abdylkadër Memedi, sekretar Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Por, ndryshe nga Memedi, ish-ministrat e Punëve të Jashtme, Lubomir Fërçkoski dhe Sllobodan Çashule, thonë se kjo çështje duhet të zgjidhet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në parim, Maqedonia dhe Kosova nuk janë të lidhura në këtë moment me procesin e sukcesionit. Kosova është e lidhur me shtetin, nga i cili ka dalë, apo është pavarësuar. Kjo është ish-federata jugosllave apo Serbia. Pra, gjithçka mbetet të definohet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës pasi në republikat tjera ky proces thuajse ka përfunduar”, thotë ish-ministri i Jashtëm, Lubomir Fërçkovski.
Edhe Sllobodan Çashule thotë se hisen e Kosovës, që duhej t’i takonte me sukcesion, e ka trashëguar Serbia, pjesë e së cilës ishte Kosova. Por, pavarësisht kësaj, Çashule thotë se Kosova ka të drejtë të ngrejë çështjen e kthimit të hises që i takon nga ish-Jugosllavia.
“Kosova ka të drejtë që të kërkojë të përfshihet në sukcesion dhe të marrë pjesën e vet nga ajo që është paraparë të ndahet. Maqedonia, në raport me republikat tjera, si Serbia dhe Kroacia, ka marrë diçka minore për shkak se ndarja kishte për bazë madhësinë e tyre, kurse Kosova, e cila atëherë ishte krahinë autonome, do të marrë shumë më pak. Por, për shkaqe parimore, ajo duhet të ngrejë çështjen pasi për financimin e gjithë asaj prone kanë kontribuar edhe qytetarët e Kosovës”.
“Pra, çështja nuk qëndron në atë nëse Serbia e njeh ose jo këtë shtet, por në pronën që është arritur edhe me mundin e shqiptarëve, serbëve, turqve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë. Pra, Kosova duhet ta kërkojë atë që i takon”, nënvizon Çashule.
Ndërkohë, sa i përket çështjes tjetër, asaj të kthimit të pronave të ndërmarrjeve të Kosovës që kanë vepruar në Maqedoni dhe anasjelltas, sekretari Shtetëror në Ministrinë e Jashtme, Abdylkadër Memedi thekson:
“Çështja e pronave të kompanive private është një temë shumë e komplikuar. Çështje të tilla kemi edhe me shtetet tjera të ish-Jugosllavisë, por në të shumtën e rasteve mungojnë dokumentacionet, gjithashtu edhe dokumentacioni përkatës. Të gjitha ato lëndë dhe të gjitha ata procedura, të cilat fillohen, zvarriten nga moskompletimi i dokumentacionit, si dhe të dhënave të sakta që do të definojnë se prona e kujt është dhe në fakt kush është trashëgimtari i vërtetë i asaj kompanie”.
Edhe ish-ministrat e Jashtëm, Çashule dhe Fërçkovski, thonë se rastet e këtilla janë të komplikuara, por zgjidhjen e mundshme ata e shohin përmes inicimit të proceseve gjyqësore.
“Nëse ka persona privatë që kanë pronat e tyre, atëherë këtë problem ata duhet ta zgjidhin në mënyrë juridike, jashtë sukcesionit”, shprehet Fërçkovski, ndërsa edhe Çashule parasheh këtë zgjidhje, edhe pse, sipas tij, bëhet fjalë për një proces shumë të ndërlikuar.
“Sa i përket kapitalit apo pronës së ndërmarrjeve, situata është tragjike. Procesi i sukcesionit dhe i kthimit të investimeve nga bashkimi i ndërmarrjeve në organizata të bashkuara të punës, është shumë i vështirë dhe ende vazhdon. Mendoj këto probleme duhet të zgjidhen me rrugë juridike. Pra, nëse dikush apo ndërmarrjet nga Kosova kanë prona këtu në Maqedoni apo anasjelltas, pavarësisht faktit që ato ndodhen në dy shtete të ndryshme, aspak nuk e konteston pronësinë”.
“Ata janë pronarë të atyre pronave dhe nuk ekziston sistem në botë që do ta kontestonte një gjë tillë, përveç në rastet kur bëhet fjalë nacionalizim të pronave apo për interesa më të larta shtetërore. Por, edhe në raste të tilla, shteti duhet të paguajë në forma të shpronësimit ”, pohon Çashule.
Nga sukcesioni, sipas ekspertëve të përfshirë në këtë proces, Maqedonia ka përfituar prej 4-5 për qind nga prona e përbashkët, ndërsa çështja e pronave private apo e ndërmarrjeve shoqërore ka filluar të diskutohet mes palëve, por pa ndonjë epilog të mundshëm./REL/

Komentoni artikullin