“Hortikultura” investon rreth 200 mijë euro për mekanizëm dhe drunj dekorativ

Në katër vitet e fundit janë janë mbjellë më shumë se 50 mijë fidanë

Me mbështetjen e komunës së Prishtinës, ndërmarrja “Hortikultura” ka bërë investime rreth 200 mijë euro për mekanizëm dhe për drunjtë dekorativ. Kjo ndërmarrje ka blerë traktorë, kamioneta, mjete për mirëmbajtjen e parqeve dhe dru dekorativ.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë vizitës në këtë ndërmarrje ka thënë se komuna për çdo vit subvencionon rreth 1 milion euro ndërmarrjen “Hortikultura”, që sipas tij, janë në shërbim të qytetarëve të kryeqytetit për një ambient më të pastër.

“Vlera e këtyre gjithë investimeve, është gati 200 mijë euro…. Edhe sivjet kemi rritur numrin e drunjve të mbjellë. Gjithmonë, për çdo vjet po mundohemi që ta rrisim sasinë. Besoj se me këtë sasi prej 6 mijë e 700 dru që do t’i mbjellim nëpër trotuare, nëpër Qendra të Mjekisë Familjare nëpër hapësira të gjelbra, do t’i nxisim edhe do t’i motivojmë edhe të tjerët, bizneset, të cilat mund të kontribuojnë dhe do ta rrisim edhe një aksion për ta rritur sa më shumë sasinë e druve”, tha Ahmeti.

Ndërsa, drejtori i Ndërmarrjes “Hortikultura”, Isak Rakovica tha se komuna e Prishtinë në këto katër vitet e fundit ka ndihmuar ndërmarrjen “Hortikultura” me mekanizëm që i nevojitet kësaj ndërmarrje për mirëmbajtjen e të gjitha sipërfaqeve gjelbëruese në tërë qytetin e Prishtinës.

“Me këtë mekanizëm, 187 punëtorë të kësaj ndërmarrje do të dhënë kontributin e tyre maksimal që t’i kryejnë obligimet kontraktuese, të cilat i kemi ndaj komunës së Prishtinës. Po ashtu në këto katër vitet e fundit janë mbjellë më shumë se 50 mijë fidanë, të cilat kanë qenë më shumë se dhjetë vjeçare, me një sistem shumë të zhvilluar”, theksoi Rakovica.

Ai ka shtuar se me këto pajisje të reja të makinerisë do të mundësohet kryerja e punimeve me efikasitet më të lartë.

Back to top button