Reagon Hoti

Reagon Hoti

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se takimi i Berlinit (më 29 prill) mund të jetë një mundësi e re për paqe, marrëveshje dhe procese të reja në rajon. Sipas Hotit, institucionet e Kosovës nuk kanë dakordim dhe as legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën në Berlin.

“Për çështjen më të rëndësishme sot për vendin, dialogun me Serbinë, institucionet e Kosovës nuk kanë dakordim dhe as legjitimet për të përfaqësuar Kosovën në Berlin. Mospajtimet mbi heqjen e taksës e bëjnë këtë çështje edhe më të ndërlikuar. Kështu, pa legjitimitet dhe pa dakordim për dialogun, si dhe me mosmarrëveshje për taksën, do të shkohet në Berlin, prej të cilit takim sikur të ishim unik mund të shpresonim për shumë përfitime. Samiti në Berlin mund të jetë një mundësi e re për paqe, marrëveshje dhe procese të reja në rajon. Ky vullnet progresiv tashmë është shfaqur edhe nga Gjermania edhe nga Franca. Mirëpo, kështu pa strategji dhe të përçarë, institucionet tona mund të kthehen duarthatë nga Berlini. Për rrjedhojë partnerët PAN-it do të vazhdojnë të akuzojnë njëri tjetrin, duke mos lënë anash nga akuzat e tyre edhe partnerët tanë të dëshmuar ndërkombëtarë.”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Më 29 prill është paralajmëruar takimi i Berlinit ku do të marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit. Në këtë takim Kosova pritet të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, gjithashtu edhe Serbia pritet të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq.

Po ashtu, Hoti ka përshëndetur deklaratat e ambasadorit amerikan, Philip S.Kosnett, i cili duke adresuar një numër të madh kritikash, ka kërkuar nga qytetarët të ngrisin zërin kundër zyrtarëve të pasuruar. Hoti ka shkruar se shpreson që mos të kërkohet shkarkimi i tij nga ministrat apo zëvendësministrat, ashtu siç kanë kërkuar për ambasadorin zviceran.

“Pershendes deklarimin e qarte te Ambasadorit Amerikan ne Prishtine per punesimet ne institucione mbi baza familjare, nepotiste dhe partiake. Shpresoj se tash ndonje nga dhjetra ministrat apo zevendesministrat nuk do te kerkoje “largimin” e tij, sic kerkuan per Ambasadorit Zviceran.”, ka shkruar ai në Facebook.

Javë më parë, ambasadori zviceran në Kosovë, Jean Hubert Lebet kishte deklaruar se nuk është në rregull që Zvicra të investojë në përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve, derisa institucionet e Kosovës japin para për veteranët e rrejshëm. Pas kësaj deklarate të tij, kishte reaguar ministri Pal Lekaj, duke kërkuar shkarkimin e ambasadorit Lebet. Në mbrojtje të ambasadorit i kishin dalë ambasadorët e akredituar në Prishtinë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë. Pas reagimeve të shumta, Lekaj kishte thënë se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti dhe se miqësia Kosovë – Zvicër është e pa lëkundur./21Media