LDK do t'i përgjigjet ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve

LDK do t’i përgjigjet ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ende nuk e kanë marrë ftesë nga Presidenti për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Hoti ka thënë se këto vonesa janë të pa arsyeshme, duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive.

Ne ende nuk kemi marrë ftesë nga Presidenti për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve. Këto vonesa janë të pa arsyeshme, duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive. Koalicioni PAN nuk ka pasur legjitimitet tash e një vit për të qeverisur me Kosovën dhe nuk ka as tani për të propozuar një mandatar të ri. Ne do t’i përgjigjemi ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Asnjë temë tjetër nuk mund të diskutohen në këto konsultime“, ka thënë Hoti.

Ai ka potencuar se në mungesë të një iniciativë të tillë nga Presidenti, do të kërkojnë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit, siç parashihet me nenin 83, pika b, e Rregullores të Punës të Kuvendit.

“Por, në mungesë të një iniciativë të tillë nga Presidenti, ne do të kërkojmë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit, siç parashihet me nenin 83, pika b, e Rregullores të Punës të Kuvendit. Në këtë seancë, paraprakisht do të kërkojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian, e cila Kosovës i sigurojnë fonde rreth 100 mil euro. Është e rëndësishme që këto fonde të mos humben për shkak se Kosova ka pasur një qeveri jo legjitime“, ka shkruar Hoti në Facebook.

Presidenca kishte njoftuar se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga kjo javë do t’i fillojë konsultimet me partitë politike për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit./21Media