Hoti: Kuvendi është paralizuar

Hoti: Kuvendi është paralizuar

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar punën e deritashme të Qeverisë.

Hoti ka thënë se koalicioni qeverisës është jo funksional dhe se mbledhjet e Qeverisë po mbahen për të marrë vendime për realizimin e interesave specifike të partnerëve të koalicionit.

“Koalicioni qeverisës i “vendimeve të mëdha” është jo funksional, por mbahet në këmbë sepse interesat e partnerëve janë të mëdha. Këto interesa po realizohen përmes buxhetit të shtetit, i cili është kthyer në plaçkë përmes vendimeve jo ligjore të Qeverisë. Mbledhjet e Qeverisë mbahen për të marrë vendime për realizimin e interesave specifike të partnerëve të koalicionit. Nëse nuk harmonizohen interesat para mbledhjes së Qeverisë, atëherë ministrat e asaj partie nuk marrin pjesë në mbledhje”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Po ashtu shefi i grupit parlamentar të LDK-së ka thënë se partneri i koalicionit nga komuniteti serb nuk e përfill kryeministrin dhe se ministrat e këtij partneri nuk marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë dhe në Kuvend, por në zyrë shkojnë çdo ditë.

“Interesat e tyre po i realizojnë me taksat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në postim.

Sipas Hotit, Kuvendi i Kosovës është paralizuar nga menaxhimi katastrofal i seancave të Kuvendit.

“Kuvendi i Kosovës është bërë arenë përplasjesh të kota. Menaxhimi katastrofal i seancave dhe trupave të Kuvendit e ka paralizuar këtë institucion. Kuvendi sot nuk e kryen detyrën e vet kushtetuese si mbikëqyrës i punës së Qeverisë. Kryeministri dhe ministrat nuk paraqiten në raportim”, thuhet në postimin e Hotit.

Hoti ka thënë se presidenti i vendit e ka bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga data 27 mars 2018, duke mos emëruar anëtarët e ri, siç e parasheh kushtetuta dhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme.

“Qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë kastë qeverisëse. NA DUHET MBËSHTETJE E MADHE QYTETARE PËR TË HEQUR QAFE PËRGJITHMONË KËTË KLASË POLITIKE QË PO VJEDH TË ARDHMEN E GJENERATËS SË ARDHSHME”, thuhet në postim./21Media