Hoti: Kosova ka nevojë për marrëveshje të re me FMN-në

Avdullah Hoti ka thënë se Kosovës do t’i duhet të negociojë një marrëveshje të re me FMN-në për të kontrolluar kostot e huamarrjes

Kandidati i LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka dhënë një intervistë ekskluzive për agjencinë botërore të lajmeve Reuters. Në intervistë ai flet për partneritetin ndërkombëtar me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN)

Kosovës do t’i duhet të negociojë një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të kontrolluar kostot e huamarrjes, pasi kredia aktuale përfundon këtë verë, i ka thënë të martën agjencisë së lajmeve Reuters, Ministri i Financave në detyrë, Avdullah Hoti.

Siç bëhet e ditur nga një komunikatë e LDK-së, Hoti ka thënë se një nga detyrat e para të qeverisë së re, të cilën ai do ta marrë përsipër ta udhëheqë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, do të jetë fillimi i negociatave me Fondin. “FMN-ja na jep kredibilitet. Kosova është një vend i ri, ne duhet të financojmë shumë projekte infrastrukturore”, tha Hoti në një intervistë telefonike për Reuters.

Hoti ka theksuar se investimi në projekte të mëdha infrastrukturore, siç janë hekurudhat, rrugët rajonale, madje edhe sistemi i ujitjes, i cili do të përmirësonte prodhimin e bujqësisë, është një prioritet për autoritetet në Kosovë.

Pas emërimit të tij nga LDK-ja si kandidat për kryeministër, Hoti ka thënë që pret që qeveria të formohet shpejt. “Ne presim që qeveria të formohet shpejt pas zgjedhjeve … ne nuk kemi shumë kohë për të humbur”, tha Hoti.

Me një popullsi prej 1.8 milion banorësh, Kosova ka pasur ritme të larta rritjeje pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, në vitin 2008. Por, kjo nuk ka mjaftuar për të ulur normën e papunësisë prej 30 për qind. /21Media

 

Back to top button