Hoti: Kosova nuk do ta humbë asnjë pëllëmbë tokë

Hoti kërkon që Juniku të marrë frymë sikurse në kohën rugoviane

Kandidati për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor LDK- AKR -Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, Avdullah Hoti tha sot në Junik se me qeverisjen e tij dhe koalicionin parazgjedhor, nuk do të lejojnë që të humbet asnjë pëllëmbë toke e Kosovës.

“Asnjë pëllëmbë tokë e Kosovës nuk është humbur dhe nuk do të lejojmë të humbet. Kjo tokë është mbrojtë me gjak. Kush tjetër mund ta mbrojë më mirë këtë tokë sesa LDK-ja”, tha Hoti.

Ndërsa shtoi se gjenden në Junik për të kërkuar besën që Juniku të marrë frymë sikurse në kohën rugoviane.

“Jemi në Junik në vendin e traditës, të fjalës dhe besës. Prandaj ne sot jemi këtu për të kërkuar bese për mbështetje sikur në kohën e Rugovës”, tha Hoti.

Ai theksoi se Juniku nuk i ka mbushë listat e veteranëve edhe pse prej këtej ka pasur mjaft luftëtarë, për të cilët tha se janë në LDK.

“Janë brenda LDK-së ata që e kanë udhëheq luftën. Ne jemi ata që jemi kujdes për luftëtarët e luftës dhe i kemi përkrahë vazhdimisht”, shtoi ai.

Ndërkaq tha se ndodhen në Junik për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe për të ndihmuar secilën familje junikase.

Në anën tjetër i pari i LDK-së, Isa Mustafa, u shpreh se Avdullah Hoti punën e qeverisjes së shtetit do ta bëjë në mënyrën më të mirë.

“Ju ftoj që të bindni çdo qytetar të zgjedhin LDK-në, t’i mundim ata që kanë qeverisë keq për 17 vite në Kosovë”, tha Mustafa.

Se koalicioni në fjalë do ta formojë ushtrinë, tha themeluesja e Alternativës Mimoza Kusari Lila.

“Ky koalicion i jep Kosovës ushtrinë. Ky koalicion është shembulli më i mirë i integritetit. Ky koalicion nuk ka zënë karrige por ka lëshuar karrige dhe për këtë shembulli më i mirë është Isa Mustafa i cili i hapi rrugën Avdullah Hotit”, u shpreh Kusari Lila.

Pas Junikut zyrtarë të koalicionit do të mbajnë fushatë zgjedhore edhe në Pejë dhe Deçan

Back to top button