"Tribunali themelohet ose nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ose nga Kosova në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare"

“Tribunali themelohet ose nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ose nga Kosova në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare”

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti sonte zhvilloi një intervistë në emisionin debatues, “Click” të RTV21.

Ai propozimin për formimin e Komisionit shteëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, e konsideroi si të pakuptimte.

Po nëse e analizoni propozimin që ka ardhë në Kuvend për themelimin e këtij Tribunali, keni me pa, dikush që ka njohuri bazike të fushës së drejtësisë mund të konkludojë lirshëm që është propozim më i pakuptimte i mundshëm. Ta zëmë, propozohet të themelohet Komision Shtetëror, i kryesuar nga dy deputetë, një nga pozita një nga opozita, por ku marrin pjesë edhe Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Avokati i Popullit dhe institucione të tjera të drejtësisë, i cili komision duhet të konfirmojë krimet e regjimit serb në Kosovë. Tash cili deputet e ka kompetencën edhe profesionale, edhe teknike, po mbi të gjitha a është kredibiliteti i nevojshëm që një deputet i zgjedhur me vota të qytetarëve në Kuvend të Kosovës të marrë në dorë punën e drejtësisë. Atë që ne e kërkojmë, që kemi propozuar është që këtë punë ta ja lëmë organeve të drejtësisë.”, tha ai.

Hoti më tutje tha që edhe nëse formohet një Tribunal i një formati të tillë, nuk bëhet asgjë.

Miratimi në këtë format nuk na qon askund, nuk bëjmë asgjë. Propozimi jonë është që të ulemi bashkë të formojmë një komision të gjitha forcave politike në Kuvendin e Kosovës, siç e kemi bërë me komisionin që e ka propozuar rezolutën për të dënuar ata që mohojnë krimet dhe gjenocidin. Të njëjtën gjë, një komision të përbërë prej të gjitha forcave, i cili komision vjen me propozime konkrete para Kuvendit të Kosovës, për ndryshimet e nevojshme legjislative që duhet të ndodhin në ligjet që i kemi në Kosovë. Për t’i mundësuar organeve të drejtësisë që gjykatat dhe prokuroria, institucioneve të ndryshme, organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që kanë mbledhur, i kanë evidentuar krimet e bëra të luftës dhe në një procedurë standarde, sipas standardeve të drejtësisë ndërkombëtare të evidentohen këto krime dhe institucionet vendore të kryejnë punën e tyre në dënimin e këtyre kryerësve të veprave kriminale edhe në mungesë.”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së tha që Kosova vetë nuk mund të themelojë Tribunal.

Ne atëherë na duhet pasi që të kryhet kjo punë brenda Kosovës, ne atëherë na duhet një koordinim i aktiviteteve shtetërore të Kosovës edhe në aspektin diplomatik për të lobuar te partnerët tanë strategjik për themelimin e këtij Tribunali, sepse Kosova vetë nuk mund të themelojë Tribunal. Tribunali themelohet ose nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ose mund të themelohet nga Kosova në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, me BE-n përmes marrëveshjeve ndërkombëtare. Rrugë tjetër nuk ka, kushdo që mundohet ndryshe ta bëjë këtë punë nuk na qon askund.”, tha Hoti./21Media