Hoti premton luftë të pa kompromis kundër korrupsionit

Hoti ka vizituar fermerët e Gjilanit

Kandidatit për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën në Gjilan se do të jetë i pa kompromis për luftimin e korrupsionit, ndërsa ka paralajmëruar miratimin e një ligji që do t’i kompensojë dëmet në bujqësi.

Gjatë një takimi që ka zhvilluar me fermerët e Gjilanit, ku shoqërohej nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, Hoti ka thënë se do të jetë i pa kompromis edhe ndaj atyre që kanë keqpërdorur fondet e dedikuara për sektorin e bujqësisë.

“Nuk ka prioritet më të madh të shtetit dhe qytetarëve sesa krijimi i vendeve të reja të punës, krijimi i të ardhurave, stabiliteti i nevojshëm, sundimi i rendit dhe ligjit dhe lufta e pa kompromis kundër korrupsionit, ashtu siç e kemi dëshmuar gjatë këtyre viteve. Do t’i plotësojmë të gjitha kushtet për integrim në familjen evropiane, në BE dhe në NATO”, ka thënë Hoti.

Ai është zotuar se do të bëjë një reformë në menaxhimin e subvencioneve në fushën e bujqësisë, ku rolin primar do ta ketë pushteti lokal.

“Do t’i japim rol shumë të madh komunave në administrimin e fondeve për bujqësinë sepse pushteti lokal e dinë shumë më mirë se kush i punon tokat dhe jo të vendoset për fondet e bujqësisë nga burokratët në Prishtinë”, ka thënë Hoti.

Ai ka paralajmëruar miratimin e një ligji që do t’i kompensojë dëmet që ndodhin në bujqësi.

“Si kryeministër i ardhshëm nuk ka gjë më të rëndësishme sesa t’ju krijojmë njerëzve mundësi për punë për të ardhura të dinjitetshme dhe jetë të qetë në familje. Unë jam i sigurt se pas datës 11 qershor me partnerët e koalicionit do t’i kthejmë shtetit dhe qytetarëve qetësinë e nevojshme për të jetuar në këtë vend”, ka thënë Hoti.

Hoti është zotuar se nga janari 2018 qeveria që ai do të drejtojë pas zgjedhjeve, do t’i trefishojë subvencionet për sektorin e bujqësisë.

Ndërsa, kryetari i Gjilanit dhe i Degës së LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK dhe partnerët e koalicionit kanë plane konkrete për zhvillimin e bujqësisë.

“Po rikthehet tradita e punës bujqësore në Gjilan. Punimi i tokave bujqësore në Gjilan po shkon drejt rritjes. LDK dhe partnerët e koalicionit kanë një program detaj dhe politika të qarta buxhetore se si mund të ndihmohet nxitja e kultivimit të kulturave bujqësore në tokat e pëlleshme të Anamoravës”, ka thënë Haziri.

Back to top button