LDK kërkon zgjedhje të reja

LDK kërkon zgjedhje të reja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot ftoi partitë opozitare në një takim, për të diskutuar për ngjarjet e fundit dhe rreth dialogut me Serbinë por që këtij takimi nuk iu përgjigj Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas këtij takimi ka reaguar Avdullah Hoti nga LDK, i cili përmendi Rezolutën e propozuar nga ky subjekt politik, por që sipas tij kjo u pengua nga pushteti.

“Si Lidhje Demokratike e Kosovës, për ta mbrojtur integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kemi propozuar Rezolutën me të cilën do të vendosnim vijën kryesore të kuqe në dialogun Kosovë-Serbi – territori i Kosovës të mos jetë pjesë e dialogut.

Ata që sot po përpiqen të kontrabandojnë veten në këtë dialog, kanë qenë penguesit kryesor të përpjekjes tonë për ta mbrojtur shtetin.

“Të tillët kanë dëshmuar tash e sa kohë se kurdo që ju nevojitet, e vejnë në pikëpyetje shtetësinë, pozitën ndërkombëtare dhe territorin e vendit. E kane filluar më 22 dhjetor të vitit të kaluar, e po vazhdojnë sot e gjithë ditën.”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka vazhduar se nuk duhet votuar rezoluta e pozitës si dhe duhet të largohen nga pushteti.
“Vetëm zgjedhjet i japin frymë demokracisë dhe institucioneve në vend. Çdo vonesë e bënë edhe më të paqartë të ardhmen tonë.”, ka përfunduar Hoti.

Ndërsa Veseli sot pas takimit i ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së, që të jenë bashkë kur është fjala për interesin e shtetit./21Media