Sipas Hotit, punësimi i 70 zëvendësministrave i kushton buxhetit 3.5 milionë euro

Sipas Hotit, punësimi i 70 zëvendësministrave i kushton buxhetit 3.5 milionë euro

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti e ka quajtur buxhetin për vitin 2018 të degraduar, i cili sipas tij e kthen situatën para vitit 2015, ku sipas Hotit ka pasur një planifikim të dobët buxhetor.

Hoti është shprehur se ky buxhet është i udhëhequr me mendime provinciale politike, krahasuar me qeverisjen e kaluar,  ku sipas tij gjatë tri viteve të kaluara ka pasur përmirësim të strukturës buxhetore, investime kapitale e program të qartë të kursimeve.

“Ky buxhet nuk buron dhe nuk ka lidhje me programin qeverisës 2017-2021. Kemi degju në fushatë për rritje ekonomike prej 8%, në faqen 4 të programit qeverisës rritja parashihet në 7 perqind, kurse në buxhet rritja ekonomike parashihet 4.6 % në vitin 2018, 4.9 %  në vitin 2019 dhe 5.3%  2020, kur do të arrihet në 7 përqind?”, tha Hoti.

Hoti tha se taksapaguesit e Kosovës, duhet ta dinë se vetëm punësimi i 70 zëvendësministrave do të kushtojë rreth 3.5 milionë euro.

Ndryshe,  me vendim të Qeverisë është shkarkuar Fatir Berzati dhe është emëruar Hamza Balje. Ndërsa sot kryeministri Haradinaj ka ngarkuar  edhe tre zëvendësministra.

Zëvendësministrin e radhës në ministrinë e Diasporës, Naim Qelajn, zëvendësministrin e tretë në MI, Fehmi Mujotën dhe Musa Cena-n në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Ndryshe me këto emërime numri i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj ka arritur rreth 70, ndërsa numri i ministrive është 21.