Hoxha foli për liberalizimin, taksën, MSA-në e shumë çështje tjera

Për liberalizimin Hoxha ka thënë se nuk është një çështje që duhet heshtur

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka thënë se në takimet që ka pasur në Poloni me ministrat e Ballkanit Perëndimor është përmendur kërkesa e heqjes së taksës, mirëpo se nuk i është thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërkaq, për liberalizimin e vizave ajo ka thënë se nuk është një çështje që duhet heshtur.

“Liberalizimi i vizave nuk është një çështje që jemi duke heshtur. Do të shohim se cili do të jetë parlamenti i ri në BE. Kemi kërkesa të vazhdueshme që sa më shpejt vendimi të futet në Këshillin e ministrave sepse sapo të përfundoj ky votim çështjet tjera janë procedurale”, ka thënë Hoxha.

Më tej, ajo nuk ka dhënë datë se kur mund të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

“Do të jap data kur të na komunikohen nga Parlamenti Evropian. Këshilli i Ministrave nuk mori vendim, ne po bëjmë çmos që liberalizimi i vizave të ndodh sa më shpejtë, tani janë zgjedhjet parlamentare, BREXIT-it dhe rrethanat janë se nuk e dimë se çfarë mund të ndodh në një të ardhme të afërme”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka folur edhe për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), teksa ka thënë se ky Program Kombëtar për Zbatimin e MSA-së ka tejkaluar planet.

“Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së për vitin 2018 ka tejkaluar planet. Sipas Marrëveshjes tonë me BE-në, për Mbështetje Buxhetore për Reformën e Administratës Publike, ka qenë e paraparë që zbatimi për vitin 2018 të jetë së paku 60%, ndërkohë që plani është tejkaluar në 68.23%”, ka potencuar Hoxha, ndërsa ka shtuar planet e dakorduara me BE-në për zbatim, në vitin 2019 duhet të jetë 70%, ndërsa për vitin 2020 të jetë 80%.

“Fondet e BE-së për Kosovën vetëm sa janë rritur, si vijon: IPA 2017 ka ndarë 73 milionë euro, IPA 2018 ka ndarë 90.5 milionë euro, kurse IPA 2019 – 2020 afërsisht 200 milionë euro. Niveli i zbatimit të ERA-s (Agjendës për Reforma Evropiane) për vitin 2018 është 74.07%”, ka thënë ministrja, duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të bëjë të pamundurën që këto plane të tejkalohen gjatë vitit 2019 dhe viteve që pasojnë./21Media

Back to top button