Hoxha theksoi se pret nga përfaqësuesit e zyrës së BE-së t’ i njoftojnë rreth kufijve financiarë të programeve 2019 dhe 2020

Hoxha theksoi se pret nga përfaqësuesit e zyrës së BE-së t’ i njoftojnë rreth kufijve financiarë të programeve 2019 dhe 2020

Është mbajtur takimi iniciues, ku janë bërë të ditura afatet kohore dhe sektorët, të cilët do të përkrahen nga programet kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara nga Bashkimi Evropian.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata  Hoxha, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për IPA-së tha se qëllimi i tyre është që duke filluar prej tani e deri në mesin e vitit të ardhshëm, të kryejnë gjithë procesin e programimit të IPA 2019 dhe IPA 2020, i cili kap shumën rreth 200 milionë euro dhe më pas, të kenë kohë që të përqendrohen në fazën e planifikimit për instrumentin e ri, që do të zhvillohet për periudhën e re financiare të BE-së, 2021-2027.

Ministrja theksoi se pret nga përfaqësuesit e zyrës së BE-së t’ i njoftojnë rreth kufijve financiarë të programeve 2019 dhe 2020, afatet e nevojshme për të dorëzuar kërkesat te BE-ja për financim, rreth sektorëve të cilët do të financohen, si dhe rreth modaliteteve të zbatimit të projekteve në këta sektorë.

Ndërsa, duke u bazuar gjithmonë në kufijtë financiar, të cilët janë vendosur paraprakisht nga BE, Hoxha ftoi përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, që të prezantojnë propozimet për projektet e tyre dhe të paraqesin se cilat janë prioritetet më të rëndësishme të tyre.

Ndërkaq, Luigi Brusa nga zyra e BE-së në Kosovë tha se strategjia e rishikuar do të miratohet nga komiteti IPA-s dhe në prill të vitit 2020, do t’i kenë  për Kosovën rreth 600 milionë euro. Nga kjo shumë sipas tij rreth 200 milionë euro janë ndarë për periudhën 2019-2020 dhe se ky aktivitet  që po e fillon sot, ka të bëjë me programimin e  shumës së fundit.

Në këtë takim u paraqitën propozimet dhe projektet që priten të financohen nga BE-ja, me IPA 2019, IPA 2020.