Hoxha: Përfshirja e Ballkanit në BE, siguron stabilitet në rajon

Hoxha ka thënë se Kosova është në fund të procesit të liberalizimit të vizav

Pas takimit të Ministrave përgjegjës për çështjet evropiane në Vjenë, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se Kosova mirëpret dhe vlerëson partneritetin me Austrinë dhe shprehu mirënjohje ndaj ministrit Blümel për përpjekjet e tij për të çuar përpara agjendën strategjike për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Hoxhës, në këtë takim është diskutuar për rëndësinë që BE të fokusojë politikën e saj të jashtme deri në vitin 2025 dhe më tej në procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Hoxha ka deklaruar se përfshirja e Ballkanit Perëndimor është vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

“Strategjia e Zgjerimit, e cila u publikua vitin e kaluar, ishte më shumë se e mirëpritur, duke na dhënë mesazh të qartë për perspektivën evropiane të kësaj pjese të Evropës. Megjithatë, theksova rëndësinë e faktit që vendet e Ballkanit Perëndimor të ofrohen me hapa më të vendosur dhe konkret në rrugën evropiane. Është e qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë anëtarësimin në BE, megjithatë ky është një proces negocimi i cili duhet të zhvillohet me kujdes.”, ka thënë ajo.

Më tej ka shtuar se Republika e Kosovës është në fazën e fundit të procesit të liberalizimit të vizave.

“Edhe pse qytetarët e Republikës së Kosovës janë më pro BE-së në Evropë, Kosova është i vetmi vend me regjim të vizave dhe ne do t’i nxisim shtetet anëtare të shpejtojnë procesin e vendimmarrjes pas konfirmimit nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi.Ne, gjithashtu jemi fokusuar në ndihmën financiare nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe theksuam rëndësinë që BE të rrisë efikasitetin e përgjithshëm të projekteve të investimeve në Kosovë dhe rajon. Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm do të ishte rritja e granteve të BE-së për projekte të ndryshme infrastrukturore.”, ka thënë Hoxha./21Media

Back to top button