“Hoxha po punëson mbi baza partiake, duke refuzuar punësimin e bursistëve”

Vendimet e kundërligjshme Hoxhës rrezikojnë të ardhmen e të rinjve kosovarë, thonë Organizatat e shoqërisë civile

Bursa e BE-së për studim të nivelit MASTER në universitetet evropiane, apo më e njohur si Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme – YCS) është ndër projekte më të suksesshme të BE-së në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Deri më sot, 364 të rinjtë kanë pasur mundësi të studiojnë jashtë vendit dhe të kthehen dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një Kosove më të mirë. Sot bursistët e kësaj skeme mund të gjenden në mesin e shërbimit civil dhe diplomatik, akademi, shoqëri civile, biznese, media dhe parti politike. Secili nga ta ofron kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e të ardhmes së Kosovës. Përderisa BE-ja mbulon të gjitha shpenzimet e bursistëve, është obligim i institucioneve të Kosovës të sigurojnë punësimin e tyre në administratën publike. Në këtë formë, bursa kontribuon në ndërtimin e një administrate të pavarur, me integritet dhe profesionale.

Organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin e thellë të tyre ndaj tentativës së ministres në dorëheqje të Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, siç thanë ata, për të politizuar institucionin e MIE-së duke refuzuar punësimin e bursistëve të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake.

Sipas tyre, këto veprime të Hoxhës janë të kundërligjshme dhe përbejnë shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërkombëtare, respektivisht Marrëveshjes Financiare për Ratifikimin e IPA-së 2016.

Vendimet e kundërligjshme të Ministres në dorëheqje Hoxha rrezikojnë anulimin e bursave të parapara për vitet në vijim që do financojnë shkollimin jashtë vendit të qindra të rinjve Kosovar. Po ashtu, dënojmë marrjen e masave të kundërligjshme dhe kërcënimet ndaj shërbimit civil të MIE-së. Në këtë drejtim, ne – organizatat e shoqërisë civile – mbështesim fuqimisht kërkesat e shërbimit civil të MIE-së dhe kërkojmë nga Ministrja në dorëheqje znj. Dhurata Hoxha anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e menjëhershëm të çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së. Në mungesë të veprimit nga ana e Ministres në dorëheqje, znj. Dhurata Hoxha, ftojmë kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinaj të ndërhy në kthimin e ligjshmërisë brenda Ministrisë së Integrimit Evropian”, thuhet tutje në reagim.

Reagimi është mbështetur nga: Demokracia për Zhvillim – D4D, Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Iniciativa për Progres – INPO, Instituti Columbus, Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane – EPIK, Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP, dhe Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu./21Media

 

Back to top button