Hoxha thotë se me MSA-në, Kosova ka përfituar shumë

Vlerëson se duhet bërë më shumë

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha vlerëson se përfitimet që vijnë si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe Republikës së Kosovës, janë të shumta. Kështu ka deklaruar Hoxha në diskutimin e mbajtur sot, në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja: “Mbështetje për komunikimin e procesit të integrimit në BE”.

Hoxha ka theksuar se nga viti në vit, është shënuar trend pozitiv i implementimit të reformave në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e BE-së, por sipas saj, pritet që gjatë vitit 2019 të ketë zbatim të shtuar dhe se rezultatet janë mjaft premtuese.

“Mbesim të përkushtuar që të punojmë intensivisht në realizimin e reformave, për të treguar rezultate të shtuara sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar Hoxha.

Në këtë diskutim, mori pjesë edhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë-Përfaqësuesi Special i BE-së, Nataliya Apostolova dhe bartës të përgjegjësive të sektorëve në diskutim.

“MSA-ja trason rrugën tonë drejt integrimit në BE, drejt opsionit tonë të vetëm për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme, jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin si tërësi. Përkundër arritjeve të rëndësishme në këtë drejtim, në ende kemi shumë punë për të bërë”, ka deklaruar më tej ajo, bëhet e ditur në komunikatën për media./21Media

Back to top button