Enver Hoxhaj takohet me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së

Enver Hoxhaj takohet me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Enver Hoxhaj gjatë konferencës së gjashtë të Ndërmjetësimit në Stamboll, ka pasur një takim me të shkurtër me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të cilit ia ka bërë me dije se Kosova duhet të bëhet anëtare e OKB-së sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të ketë stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor.

Ai gjithashtu ia ka bërë me dije kreut të Kombeve të Bashkuara se prezenca e UNMIK-ut në Kosovë tashmë është e panevojshme, pasi burimet e këtij misioni ndërkombëtar duhet të përdoren në zona të konfliktit, e jo në një vend politikisht të qëndrueshëm dhe të sigurt siç është Kosova.

Hoxhaj gjatë konferencës në Stamboll është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. “Organizimi i një konference të tillë luan rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.

Sot pritet të zhvillohet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të flitet për Kosovën. Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në periudhën 16 maj 2019 deri më 15 shtator do të diskutohet në këtë seancë e cila mbahet pasdite në New York./21Media