Hoxhaj: Kosova duhet të trajtohet në mënyrë dinjitoze

Hoxhaj agjendë të ngjeshur takimesh në margjina të Samitit të SEECP-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në Dubrovnik ku së bashku me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi po marrin pjesë në Samitin e SEECP-së.

Hoxhaj ka deklaruar se qëllimi kryesor i pjesëmarrjes në këtë samit është që të arrihet që Kosova si vend anëtar ta marrë kryesimin e SEECP-së në një të ardhme të afërt, gjë që do të ishte shumë e rëndësishme për përcaktimin e agjendës politike dhe ekonomike në rajon.

“Qëllimi kryesor i pjesëmarrjes sonë në Samitin e Organizatës për Bashkëpunim në Evropën Juglindore është që të sigurojmë kryesimin e kësaj organizate, përmes të cilës ne do të kishim mundësi ta formësojmë edhe agjendën politike edhe ekonomike të rajonit, si dhe të sjellim edhe investime dhe projekte konkrete në Kosovë. Ndërsa, paralel me këtë të sigurojmë që të vendosen edhe seli të ndryshme të organizatave në rajon. Ka nevojë për bashkëpunim rajonal, mirëpo pjesëmarrja e Kosovës në këtë bashkëpunim duhet të jetë e barabartë dhe Kosova duhet të trajtohet në mënyrë dinjitoze”, ka deklaruar Hoxhaj.

Në anën tjetër, në margjina të samitit, Hoxhaj ka zhvilluar agjendë të ngjeshur takimesh me homologët e shteteve të rajonit. Ai ka takuar delegacionet nga Kroacia, Bullgaria, Greqia, Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Rumania etj.

Në këtë samit janë diskutuar edhe tema të sigurisë në rajon, bashkëpunimit mes shteteve të Evropës Juglindore, si dhe për integrimin në BE të vendeve të cilat ende gjenden në këtë proces. Hoxhaj ka theksuar nevojën për veprime konkrete në drejtim të promovimit të bashkëpunimit dhe përfaqësimit të shteteve të rajonit.

Kryediplomati kosovar nesër do të marrë pjesë në Samitin Vjetor të Dubrovnikut.

Back to top button