Hoxhaj: Do të ketë emra të ri në listë të PDK-së

Hoxhaj: Do të ketë emra të ri në listë të PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli parapërgatitjet për fushatë zgjedhore i ka nisur me pretendimet për të luftuar korrupsionin dhe nepotizmin. PDK-ja do të dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërkaq koalicionet parazgjedhore janë formuar për shkak të frikës ndaj partisë së tyre. Nuk do të bëjë koalicione parazgjedhore me asnjë parti parlamentare, ka thënë ndër të tjera në një intervistë për KP zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se vazhdimësia dhe ndryshimi është pjesë e filozofisë së tyre politike, derisa shton se në kuadër të listës së PDK-së për deputetë do të ketë edhe emra të ri.

“Qasja jonë ka qenë çdo herë që PDK-ja duhet të ndryshojë atë që është patjetër  e domosdoshme të ndryshohet. Fenomeni i korrupsionit është diçka që reflektohet në vullnetin e kryetarit që ky fenomen të luftohet brendapërbrenda jetës politike në Kosovë. Por, të njëjtën kohë, ne do të ruajmë atë që duhet të ruhet brenda një partie politike. Vazhdimësia dhe ndryshimi është pjesë e filozofisë sonë politike. Natyrisht që do të ketë emra të ri në listë të PDK-së, do të ketë njerëz që përfaqësojnë vlera morale, patriotike, profesionale dhe qytetare… Duhet të pritni çfarë liste të plotë të mirëfilltë dhe komplete do të ketë PDK-ja. Lista, natyrisht, është një listë që hartohet prej kandidatit për kryeministër, i cili lufton dhe ësht ë në betejë për të marrë mandatin e qytetarëve për të udhëhequr Qeverinë. Hyrja dhe mos hyrja e njerëzve në listë është punë e vullnetit individual. Prandaj, unë nuk mund të paragjykoj kush mund të hyjë ose mos të hyjë në listë, se është një lloj kombinimi i vullnetit të kryetarit edhe vullnetit individual të një kandidati që mund të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj foli dhe për koalicionet parazgjedhore, teksa tha se sipas sondazheve të tyre, ata janë partia më e madhe në vend.

“Koalicionet parazgjedhore kanë konfirmuar vetëm një gjë. Se të  gjithë  kanë  frikë nga Partia Demokratike e Kosovës. Ne jemi partia më e madhe në vend sipas sondazheve tona, por dhe sipas organizimit politik… Në këto zgjedhje shkojmë me logon e PDK-së, sloganin e PDK-së si subjekti më i madh politik, por janë të mirëseardhura dhe partitë e vogla të tjera jo parlamentare”, ka thënë zëvendëskryetari Hoxhaj.

Hoxhaj gjithashtu renditi prioritetet e tyre sa i përket zgjedhjeve të 6 tetorit, duke thënë se prioritet i parë është zhvillimi ekonomik.

“Prioritet i parë i vendit është zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi ekonomik varet prej sundimit të ligjit edhe prej luftimit të korrupsionit si fenomen. Prioritet i dytë do të jetë arsimi dhe shëndetësia. Meqenëse Kosova është një shtet i vogël dhe nevojat e qytetarëve për shtete të tilla janë të mëdha për këta sektor. Prioritet i tretë do të jetë cilësia në jetë që përfshin fusha të ndryshme të jetës. Por vëmendja kryesore do të jetë rreth zhvillimit ekonomik, punësimit, arsimit, shëndetësisë, sigurisë, jo vetëm sigurisë së sovranitetit të Kosovës që është prioritet i dorës së parë, po deri te siguria kibernetike apo në ushqim”, ka thënë Hoxhaj.