Hoxhaj komentoi edhe deklarimet e fundit të Daçiqit, për një tërheqje tjetër të njohjes ndaj Kosovës

Hoxhaj komentoi edhe deklarimet e fundit të Daçiqit, për një tërheqje tjetër të njohjes ndaj Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, është deklaruar për pronësinë e taksës së vendosur kundër Serbisë nga Qeveria verën e vitit të kaluar.

Ai përmes një statusi në “Facebook”, përpos taksës ka përmendur edhe deklarimet e fundit të ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, për tërheqjen e njohjes ndaj Kosovës të një shteti, të cilit emrin nuk ia ka bërë ende me dije.

“Kur ministri jashtëm serb dje paralajmëroi se një shtet do të tërheq njohjen ndaj Kosovës, për mua para dy vitesh kjo ishte e paimagjinuar. Kam kaluar ditën duke kontaktuar partnerë dhe miqtë e shumtë në pjesë të ndryshme të botës, për të kuptuar se për cilin shtet bëhet fjalë! Kam bërë po ashtu një projekt ide se si mund ta godasim prapa Serbinë në plan të gjerë. Besoj se në Qeverinë e re me kryeministër Kadri Veselin, do të kemi masa të reja kundër fushatës serbe. Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.

Ndërkaq ai ka thënë se sa për taksën, është mirë që është zgjeruar pronësia e saj.

“Politika për mua është sa betejë për ide kreative në situata komplekse po aq edhe vendimmarrje shtetërore në mbrojtje të egzistencës tonë! Në çdo pozitë që kam pasur në Qeveri, së pari i kam vënë para vetes interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, pastaj ato të partisë me të cilën krenohem që i takoj, PDK. Gjatë verës së 2018-s, në Kabinetin tim janë përpunuar dy propozime: njëri për taksën dhe tjetri për masa reciproke ndaj shtetit serb. Jam krenar që në nëntorin e kaluar njëra është bërë realitet, ndërsa reciprociteti është bërë diskurs edhe i partive në opozitë!”, ka shkruar ai.

Hoxhaj gjithashtu ka thënë se duhet ushtrohet sovraniteti në çdo cep të Kosovës dhe ta zgjerohet njohjen ndërkombëtare e saj. Por siç ka thënë ai asesi të mos harrohet se interesi shtetëror i Kosovës është i barabartë me interesat e ShBA-së dhe partnerëve evropianë! E ardhmja e Kosovës është vetëm rruga drejt anëtarësimit në OKB, NATO dhe BE./21Media