Vetëm në janar, ky është zjarri i katërt i madh që ndodh në Maqedoni

Vetëm në janar, ky është zjarri i katërt i madh që ndodh në Maqedoni

Zjarri ka shpërthyer herët në 4 të mëngjesit, përderisa viktimat kanë qenë duke fjetur. E ëma dhe djali I saj 17 vjeçar janë djegur dhe kanë ndërruar jetë, ndërsa babai ka arritur që të dalë deri në oborrin e shtëpisë për të kërkuar ndihmë nga fqinjët. Ata menjëherë kanë thirrur zjarrfikësit, ndërsa në ndërkohë edhe vetë kanë tentuar që ta shuajnë zjarrin. Por zjarri e ka kapluar gjithë shtëpinë. Sipas dëshmitarëve, tash më ka qenë e pamundur që të futen brenda.

“Ne ishim duke fjetur dhe rreth orës 3 të mëngjesit filloi zjarri. Deri sa erdhën zjarrfikësit, shtëpia u dogj krejtësisht”, tha një fqinj i familjes.

Nga njësia e brigadës së zjarrfikësve nga Manastiri thonë se kur kanë arritur në vendngjarje zjarri veç më ka qenë në fazë të avancuar, kulmi i shtëpisë ka qenë i djegur dhe ka rënë mbi dhomat ku kanë qenë duke fjetur viktimat. Komandanti i brigadës së zjarrfikësve të Manastirit apeloi që qytetarët të mos i lënë mjetet për ngrohje të kyçura gjatë natës.

“Apeli im është që të kenë kujdes dhe mjetet ngrohëse të mos i lënë të kyçura gjatë natës, sepse vetë instalimi nuk mund ta përballojë. Dhe nga ajo që patëm mundësi të vërejmë nga shtëpia e djegur, mendojmë se zjarri ka ndodhur për shkak të instalimit elektrik”, u shpreh Konstandin Popovski, Komandant i Brigadës së Zjarrëfikësve, Manastir.

Prokuroria themelore publike nga Manastiri ka kryer inspektim, ndërsa trupat e viktimave janë dërguar për të kryer obduksion. Vetëm në janar, ky është zjarri i katërt i madh që ndodh në Maqedoni. Para 5 ditëve në Tetovë në zjarr humbën jetën nëna dhe katër fëmijët e saj, ndërsa një ditë më vonë në lagjen e Shkupit, Lisiçe e re dhe në fshatin Mglince në Kumanovë për shkak të zjarrit u bënë shkrumb e hi nga 3 shtëpi.