Klopp i përgëzoi lojtarët

Klopp i përgëzoi lojtarët

Trajneri gjerman ka përgëzuar skuadrën e tij për paraqitjen e bërë ndaj Barcelonës.

Liverpooli pësoi një humbje të thellë në rezultat 3-0 në gjysmëfinalen e parë të luajtur mbrëmë në Camp Nou, por trajneri Jurgen Klopp ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve të tij, të cilët sidomos në pjesën e dytë kanë zhvilluar një ndeshje të mirë dhe kanë sulmuar portën e katalanasve.

Klopp e cilësoi të jashtëzakonshme mënyrën se si luajti skuadra e tij, megjithatë gjermani e pranon se në këtë sport luhet për të shënuar gola.

“I tillë është futbolli. Në këtë sport duhet të shënosh gola dhe ata e bënë tri herë këtë gjë, ndërsa ne asnjëherë. Paraqitja e skuadrës ishte e mirë, djemtë bënë një ndeshje të mirë. Më pëlqeu paraqitja, por nuk më pëlqeu rezultati. Në këtë lojë nuk merren nota, e vetmja gjë që vlen është rezultati. Është e lehtë të flasësh për golat. Mënyra se si i krijuam ato raste për shënim ishte e jashtëzakonshme. Mënyra se si u hapëm probleme ishte e jashtëzakonshme. Nuk e di a jemi në gjendje të luajmë më mirë se kaq. Kemi bërë paraqitjen më të mirë të sezonit jashtë fushës sonë, por ja që nuk ishte e mjaftueshme”, deklaroi Jurgen Klopp.

Më 7 maj Liverpooli e pret Barcelonën në ndeshjen e kthimit në Anfield, me shpresën se mund ta rikthejë rezultatin nga humbja 3-0 në sfidën e parë.