Humbin jetën dy fëmijë kosovarë në Francë

Haradinaj dhe Pacolli u shprehën ngushëllime familjes

Dy fëmijë, njëri 5-vjeç e tjetri vetëm 2-vjeç, që të dy shqiptarë nga Kosova kanë humbur jetën pasi kanë rënë në lumin Le Moingt në Montbrison të Francës. Mediat franceze shkruajnë se të dy fëmijët, vëlla e motër ishin duke luajtur buzë lumit, kur më i vogli ra në ujë dhe motra që besohet të jetë më e madhe tentoi ta shpëtojë, por e ka pësuar edhe ajo pasi është rrëmbyer nga uji.

Sipas autoriteteve franceze, nëna e fëmijëve ishte e pranishme dhe tentoi t’i shpëtonte, por nuk ia doli e vetme. Thirrjes së saj për ndihmë iu bashkuan edhe të tjerë dhe shërbimet e urgjencës, por ishte tepër vonë. Lumi Le Moingt është fryrë shumë kohët e fundit për shkak të reshjeve të shumta të shiut.

Për shkak të humbjes së fëmijëve nëna ka pësuar tronditje dhe është shtruar menjëherë në spital.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, reagoi pas vdekjes tragjike të dy fëmijëve kosovarë në Francë. Haradinaj përmes një postimi u shprehu ngushëllime familjarëve. “Tragjike, lajmi për dy fëmijët nga Kosova që humbën jetën aksidentalisht duke rënë në lum në qytetin Montbrison, Loire të Francës. U shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve!”, shkroi ai.

Edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, u shprehu ngushëllime familjes. U shpreh se misioni diplomatik në Paris do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për ata në këto momente të dhimbshme. “Me dhimbje të thellë kam marrë lajmin për vdekjen e dy fëmijëve kosovar në Francë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit e fëmijëve, familjen dhe miqtë e tyre. Mendimet tona janë me ata në këto momente të vështira dhe misioni ynë diplomatik në Paris do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për ata në këto momente të dhimbshme”, tha Pacolli.

Zyra e prokurorit në Saint-Etienne ka hapur një hetim, dhe ka urdhëruar që t’u bëhet autopsia trupave të pajetë./21Media

Back to top button