Hungaria dërgon 100 trupa shtesë në Kosovë

Hungaria gati me 500 trupa në KFOR

Hungaria ka ndërmend të rrisë praninë e saj ushtarake në Kosovë me 100 trupa shtesë, në mënyrë që të ketë gati 500 trupa në KFOR.

Rritja e numrit të trupave në misionin ndërkombëtar ushtarak në Kosovë u njoftua kohët e fundit nga ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjártó.

Szijjártó, në një prononcim për mediat hungareze në margjinat e samitit të NATO-s në Londër, i cili shënoi 70-vjetorin e Aleancës, tha se Hungaria do të vendosë edhe 80 trupa të tjera në Afganistan për të “luftuar përhapjen e ideologjive ekstremiste dhe dhunës në rajon”.

Hungaria do të vazhdojë të mbështesë forcat e sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes në Afganistan me gjysmë milion dollarë në vit gjatë katër viteve të ardhshme, tha Szijjártó, njofton agjencia hungareze e lajmeve MTI.

Szijjártó e quajti NATO-n aleancën më të suksesshme të mbrojtjes në botë dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së saj, veçanërisht tani kur terroristët po paraqesin sfida të reja duke adoptuar teknologji të reja.

Ai gjithashtu vuri në dukje se imigrimi i paligjshëm, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, është përsëri në rritje.

“Kjo rrit kërcënimin që paraqesin organizatat terroriste”, tha Szijjártó.

Sipas tij, valët e migrimit të pakontrolluar po u japin organizatave terroriste mundësinë për të përhapur ideologji ekstremiste në të gjithë botën./kp

Back to top button