Hungaria rrit numrin e bursave për studentët nga Kosova

Kelmendi priti delegacionin nga Hungaria, të kryesuar nga Levente Magyar, sekretar i Shtetit

Zëvendëskryeministri i  Kosovës, Ramiz Kelmendi priti në takim delegacionin nga Hungaria, të kryesuar nga Levente Magyar, sekretar i Shtetit për diplomacinë ekonomike.

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz dhe Luljeta Vuniqi, ambasadore e Kosovës në Hungari, zëvendëskryeministri Kelmendi njoftoi për prioritet e Qeverisë së Kosovës, me theks të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Kelmendi foli edhe për krijimin e një ambienti më të mirë për të bërit biznes, duke theksuar se Ligji për investime strategjike dhe ai i investimeve të huaja, krijon mundësi më të mira për investitorët në Kosovë.

Levente Magyar, sekretar i Shtetit për diplomacinë ekonomike, tha se nga vizita e fundit në vitin 2009, në Kosovë janë bërë ndryshime të mëdha.

Sekretari Magyar, shprehu përkushtimin për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se hapja e linjës së drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë thellon edhe më tutje bashkëpunimin.

Gjatë takimit, sekretari Magyar foli edhe për përkrahjen e Hungarisë në fushën e arsimit, duke rritur numrin e bursave nga 30 në 50 për studentët nga Kosova./21Media

Back to top button