Hynë në fuqi urdhri për ndalimin e hyrjes së refugjatëve në SHBA

Urdhri do të zbatohet për gjashtë vende myslimane

Ka hyrë sot në fuqi, një version më i kufizuar i urdhrit të presidentin Donald Trump, për bllokimin e vizave dhe hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetasit nga gjashtë vende me popullsi myslimane.

Urdhri që ka hyrë në fuqi, i mohon vizat dhe i ndalon hyrjen në SHBA shtetasve që nuk kanë njerëz të familjes ose marrëdhënie biznesi aty. Te familjarët e ngushtë, përcaktohen vetëm prindi, vëllai, motra, fëmija dhe bashkëshorti apo bashkëshortja, shkruan rtv21.tv

Ky urdhër do të zbatohet për njerëzit nga Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni, si dhe për të gjithë refugjatët. Në fillim të kësaj jave, Gjykata e Lartë mbështeti pjesërisht këtë urdhër, duke shfuqizuar vendimet e gjykatave që nuk lejonin zbatimin e këtij urdhri, që nga muaji shkurt.

Gjykata vendosi që njerëzit, të cilët do të aplikojnë për viza hyrëse në SHBA, nga gjashtë shtetet e sipërpërmendura dhe të gjithë refugjatët, do të duhet të dëshmojnë një marrëdhënie të mirëfilltë me dikë në këtë vend.

Trump insiston se ndalesa është e nevojshme për sigurinë kombëtare, duke i nënvizuar sulmet në Paris, Londër, Bruksel dhe Berlin si dëshmi.

Gjithsesi kritikët e quajnë këtë politikë si jo-amerikane dhe islamofobike dhe thonë se ky ndalim nuk do ti kishte ndaluar mizoritë e kryera nga sulmuesit amerikanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button