Ai u akuzua në shtator për spiunim dhe pastrim parash për dy organizata ruse

Ai u akuzua në shtator për spiunim dhe pastrim parash për dy organizata ruse

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka dekoruar me Urdhërin e Miqësisë, Nikolai Malinov, i cili është akuzuar për spiunazh nga autoritetet bullgare. Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt në Moskë më 4 nëntor, disa ditë pasi një Gjykatë bullgare i lejoi Nikolai Malinovit të dilte nga vendi për një periudhë pesë ditore.

Malinov, një ish-anëtar i parlamentit nga Partia Socialiste Bullgare (BSP), që drejton një organizatë jo-qeveritare pro-ruse, u akuzua në shtator për spiunim dhe pastrim parash për dy organizata ruse.

Prokurorët bullgarë thonë se ai po punonte me ato organizata në një përpjekje për të ndikuar në politikat e jashtme të Sofjes. Prokurorët thonë se ata kishin gjetur një dokument, në gjuhën ruse, të përgatitur nga Malinov që fliste për “ri-orientimin e nevojshëm gjeopolitik të Bullgarisë”.

“Dokumenti përshkruan hapat që duhen ndërmarrë për të rregulluar plotësisht orientimin gjeopolitik të Bullgarisë larg Perëndimit, drejt Rusisë”, tha Geshev.

Gjykata bullgare e liroi me kusht Malinovin në shtator, por atij iu ndalua të linte Bullgarinë. Bullgaria, vendi më besnik i Moskës në periudhën sovjetike, tani është anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por ka lidhje të ngushta kulturore dhe historike me Rusinë, e cila mbetet furnizuesi i saj më i madh i energjisë./REL