I burgosurit K.B rrezikon veten dhe të tjerët duke i futur flakën dhomës së burgut në Dubravë

I burgosurit K.B rrezikon veten dhe të tjerët duke i futur flakën dhomës së burgut në Dubravë

Sipas informatave të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, (KMDLNJ), dje rreth orës 23:00, në Qendrën Korrektuese në Dubravë , i burgosuri K. B. i dënuar për vrasje me dënim 35 vjet i cili pas rishqyrtimit i është zvogëluar në 12 vite burg i ka vënë flakë dhomës së burgut duke e rrezikuar jetën e tij, por edhe të burgosurve tjerë.

Në një njoftim për media nga KMDLNJ njoftohet se stafi Korrektues ka reaguar shpejt duke i larguar të burgosurit e tjerë dhe duke i dërguar në stacionarin e burgut. Pas kontrollit të mjekëve që kanë konstatuar se gjendja shëndetësore e të burgosurve është e mirë, ata janë kthyer në Pavijon. Për rastin në fjalë është njoftuar Policia në Istog e cila i ka filluar hetimet ndërsa i dënuar K.B. është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë.

I dënuari K.B. ishte vizituar disa herë nga KMDLNj dhe raporti i KMDLNj –së kishte rekomanduar që i dënuari K.B. të trajtohet në Q.K.U.K, kjo ngase ai është vlerësuar si rast psikiatrik që kërkon trajtim të vazhdueshëm në institucionet përkatëse shëndetësor.

KMDLNj pas vizitave monitoruese konstaton se Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve ka bërë aq sa ka qenë e mundur për trajtimin e të dënuarit.

“KMDLNj e ripërsërit kërkesën për domosdoshmërinë e ndërtimit të një spitali për trajtimin e personave të privuar nga liria në kuadër të Institucioneve që janë nën përgjegjësi të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësorë të Burgjeve i cili do të kishte kuadër të mjaftueshëm profesional dhe kushte për trajtimin e rasteve që cilësohen si të rënda”, thuhet në njoftim./21Media