Rikthehet moti i nxehtë

Rikthehet moti i nxehtë

Moti jashtëzakonisht i nxehtë ka filluar të përfshijë pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara dhe një pjesë të Kanadasë. Pritet që temperaturat më të larta, deri në 38 gradë, të shënohen gjatë kësaj fundjave.

Vala e të nxehtit mund t’i prekë 200 milionë njerëz në disa prej qyteteve kryesore, përfshirë New Yorkun, Washingtonin dhe Bostonin në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Me temperatura të larta pritet të përballet edhe pjesa qendrore e ShBA-së.

Temperatura në disa rajone është parashikuar të shkojë deri në 38 gradë, ndërsa nga moti i nxehtë do të preket edhe pjesa jugore e Kanadasë, transmeton rtv21.tv.

Më herët gjatë këtij muaji, në Alaska të Shteteve të Bashkuara është regjistruar temperatura më e lartë në histori të këtij shteti amerikan.

Vala e të nxehtit do të shtrohet nga pjesa qendrore në Kolorado dhe Kansas deri në Liqenet e Mëdha në pjesën veri-lindore të Shteteve të Bashkuara.

Kryetari i New Yorkut, Bill de Blasio, e ka shpallur gjendjen e emergjencës lokale për shkak të temperaturave ekstreme./21Media