I riu nxirret në pritë, thirret nga lokali dhe vritet

U shoqëruan në komisariat dëshmitarët okularë

Një 28-vjeçar u vra mbrëmjen e sotme me armë zjarri në zonën e Astirit, në Shqipëri. Viktima u identifikua si Vilson Tafçiu nga qyteti i Dibrës, i cili mësohet se mbante dhe mbiemrin Noka.

Mësohet se 28 vjeçari ka ardhur në kryeqytet pak ditë më parë për arsye familjare.

“Në një rrugicë, në afërsi të një lokali, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi V.T, rreth 28 vjeç, i cili më pas ka gjetur vdekjen”, njoftoi policia.

Viktima u nxor në pritë – Nga informacionet paraprake 28 vjeçari ishte i shoqëruar nga dy femra në lokal.  Ai u thirr nga njerëz ende të paidentifikuar në pjesën anësore të lokalit në një rrugicë, ku u qëllua për vdekje. Viktima mori 3 plumba në gjoks. Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë, të cilat bënë rrethimin e zonës në një perimetër të gjerë.

Disa të shoqëruar – Autoritetet shoqëruan në komisariat dëshmitarët okularë që ndodheshin në lokal.

U ngritën pika kontrolli në të gjitha akset rrugore si dhe vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do të çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Tafçiu me precedent penal- Nga informacionet mësohet se 28 vjeçari është ekstraduar dy vjet më parë nga Franca, ndërkohë që autoritetet bëjnë me dije se Tafçiu është akuzuar për trafikun e lëndëve narkotike./oranews

Back to top button