Nuk ka para për të paguar rrymën

Nuk ka para për të paguar rrymën

E vë kapelën jo për të dalë jashtë, por për të fjetur. Në këtë dhomë është aq ftohtë, saqë mezi mund të qëndrohet disa minuta, e jo të kalohet tërë nata. 31 vjeçari Stefan Ivanoviq nga Çairi me muaj të tërë jeton në terr, pasi që nuk mund ta paguajë borxhin prej mbi 200 mijë denarëve. Jeton i vetëm, pasi nëna e tij ka ndërruar jetë para disa muajsh.

“Vuaj nga paraliza cerebrale. Sëmundja karakterizohet me spazma (ngërçe) në pjesën e poshtme të muskujve. Ndonjëherë ngrihen më lart, në pjesën e sipërme. Sëmundja është progresive. Me kalimin e viteve merr hov gjithnjë e më shumë. Unë përpiqem të shkoj në të gjitha terapitë që m’i ka dhënë doktori. Në çdo 6 muaj, më duhet rehabilitim në banjën e Katlanovës”, tha fillimisht Stefan Ivanoviq.

Stefani merr ndihmë sociale vetëm 6 mijë denarë, edhe pse ka pengesë dhe fizikisht nuk është i aftë për punë. Nuk ka para të mjaftueshme as për t’i blerë barërat e nevojshme.

“Nga barnat për spazma marr bakllofen dhe mirovel. Ato janë barëra greke për relaksim të muskujve dhe stabilizim të spazmave. Por, për momentin nuk mund t’i blej. I zëvendësoj me diazepam dhe stop-gërç”, shtoi Stefani.

Gazetari: Sa kushtojnë ato barna që nuk mund t’i blesh?

“500 denarë”, u përgjigj ai.

Nuk mund të gatuaj ushqim, prandaj përdor shishe gazi. Më së shpeshti blen ushqim të konservuar. Ende po pret që Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor t’ia vërtetojë dhe vlerësojë invaliditetin.

“Edhe në FSPI kam dorëzuar dokumente me sëmundjen time. Ato tani janë në Taftalixhe në Komision për Shqyrtim. Pres të më thërrasin ta marr mendimin për vlerësimin e invaliditetit, në të cilin do të shpjegohet nëse jam i aftë për punë dhe sa përqind jam i dëmtuar”, përfundoi Ivanoviq.

Stefan Ivanoviq i cili vuan nga paraliza cerebrale, çdo ditë shkon në ndonjë lokal ku i lejojnë të ngrohet pak dhe ta mbushë celularin e tij. Ka kërkuar ndihmë edhe nga Qeveria, edhe nga institucionet, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Stefani thotë se edhe pse ka humbur shumë në jetë, beson se do të ketë shpresë për gjendjen e tij dhe më në fund do të ketë rrymë në banesë dhe borxhi i tij do të shlyhet./TV 21