Ibishi: Iniciativa për korrigjimin e kufijve është qëllimkeqe dhe duhet ndalur

Sipas Ibishit, kjo temë nuk është e rrezikshme vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin

Vënia e taksës për produktet serbe që vijnë në Kosovë, ka lënë nën hije temën e shumëpërfolur për korrigjim të kufijve me Serbinë. Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi konsideron se kjo ide është qëllimkeqe dhe duhet ndalur.

Ai në një intervistë për kp ka thënë se kjo temë jo veç që është e rrezikshme për Kosovën, por paraqet rrezik për gjithë rajonin, edhe ashtu në një situatë të brishtë sipas tij.

Ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve për Ballkanin dhe për Kosovën, sipas Ibishit është sikurse “Kutia e Pandorës”.

“Ndërkombëtarët përherë tentojnë ta sanojnë gjendjen dhe jo ta zgjidhin përfundimisht. Ata thonë: ‘ju bëni marrëveshjet, çfarëdo qofshin ato, ne do të qëndrojmë prapa tyre’, nëse ju pëlqejnë. Mirëpo, këtu e shoh një çështje shumë të rrezikshme. Kjo është si ‘Kuti e Pandorës’, hapet kjo, vazhdon situata në Bosnje, Maqedoni e vende të tjera. Do të thotë trazohet Ballkani i brishtë. Unë mendoj që krejt kjo iniciativë është qëllimkeqe dhe duhet ndalur”, tha ai.

Duke theksuar shkallën e lartë të rrezikut që paraqet ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit, Ibishi tha se është më mirë të ketë një konflikt të ngrirë në veri se sa të hapen edhe çështje të tjera.

“Më mirë është ta kemi një konflikt të ngrirë në veri se sa të na hapen çështje të tjera. Serbia vetëm do të fillojë që kufijtë e Kosovës t’i lëkund në formë të marrëveshjes e mandej depërton edhe në brendi, në kuptim të kërkimit edhe të konsekuencave tjera që janë të paqëndrueshme për neve. Por, kjo nuk do të ketë ndikim vetëm në Kosovë, prishet raporti edhe në Maqedoni, ndoshta ndërhyhet në Mal të Zi, mos të them Bosnja që është shumë gati një forme impulsive, sidomos pas asaj që fituan forcat serbe nacionaliste me etnitetin e ‘Republika Srbska-s’”, theksoi Ibishi.

Ai foli edhe për mekanizmat e sigurisë që ka Kosova, ku tha se është fat i mirë që këta të fundit janë krijuar në mënyrë demokratike, porse thekson se këto të fundit janë në fazën e reformave dhe jo me kapacitete të plota.

E se situata nuk është e mirë, sipas tij, dëshmojnë edhe manovrat e kohëve të fundit të Serbisë në pika të afërta me Kosovën. Për shkak të kësaj, dhe rrethanave tjera në të cilat ndodhet vendi, Ibishi tha se është e nevojshme prezenca ndërkombëtare në Kosovë.

“Prezenca ndërkombëtare e sigurisë së brendshme, por edhe ushtarake nga rreziqet e jashtme duhet të jetë e vazhdueshme në Kosovë. Edhe pse gjendja duket e qetë dhe stabile, në esencë janë kërcënimet e dukshme, sidomos nga Serbia, pas manovrave tash  që u zhvilluan e të cilat quhen ‘Fitorja e shekullit pas të Luftës së Parë Botërore’, që janë manovrat më të mëdha në rajon kohës së fundit dhe çuditërisht nuk ka hasur në asnjë zë kritik as prej institucioneve e as prej ndërkombëtarëve sepse manovrat që zhvillohen në një shtetsikurse është Serbia, në një shtet fqinj, mund të kenë paralajmërime jo të mira, në kuptim të asaj që cdo herë ai është një kërcënim për një shtet që i kemi raportet të paqëndrueshme, apo të parregulluara”, tha ai.

Sikur të mos mjaftonte politika e dëmshme serbe për Kosovën, ai rendit edhe ndikimin rus si një nga problemet me të cilat përballet rajoni dhe Kosova.

“Ajo (Serbia) në vazhdimësi po furnizohet nga Rusia dhe vendeve tjera gjithashtu. Unë e shoh ndikimin rus edhe në një mënyrë tjetër, është edhe një sistemi i politikës, sistemi i të butë i ndikimit përmes mediave, sidomos ‘Rusia Today’ dhe ‘Sputnik’ që ka shumë ndikim edhe ne aspektin global, duke plasuar lajme të ndryshme jo të mira për Kosovën, si pjesë të Serbisë, si vend i paqëndrueshëm, vend me udhëheqësi etj… Unë Rusinë e shoh si një rrezik të madh edhe për rajonin, e veçanërisht për Kosovën. Këtu duhet të ketë kujdes edhe BE-ja edhe NATO-ja”, u shpreh ai.

Krejt në fund, eksperti i çështjeve të sigurisë foli edhe për Listën Serbe, për të cilën tha se nuk përfaqëson kurrfarë zëri të qytetarëve të Kosovës pasi që është e dirigjuar tërësisht nga Beogradi.

“Nuk duhet humbur kohë se çfarë qëndrimi ka Lista ‘Srpska’. Ajo do të jetë çfarë është interesi i Serbisë sepse realisht nuk përçon zërin e komunitetit serb në Kosovë”, tha ai.

Back to top button