Sipas IKD-së policia dhe institucionet e tjera shkelin të drejtat e njeriut

Sipas IKD-së policia dhe institucionet e tjera shkelin të drejtat e njeriut

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan, Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL)3 dhe NED-it, të dielën, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin analitik “Vërtetimi për të kaluarën kriminale – cenim i sigurisë juridike”. Analizë e legjislacionit dhe praktikës rreth lëshimit nga Policia e Kosovës të “vërtetimeve për të kaluarën kriminale” si cenim i drejtpërdrejt i sigurisë juridike të qytetarëve dhe personave juridik në Republikën e Kosovës”.

Gzim Shala, hulumtues në IKD, gjatë kësaj konference ka thënë se futja e qytetarëve në evidenca penale për faktin e vetëm se ndaj tyre ka një kallëzim penal paraqet shkelje të të drejtave të njeriut nga Republika e Kosovës.

“Bazuar në standardet e Bashkimit Evropian, shteteve të saja anëtare dhe vetë legjislacionit të brendshëm të Republikës së Kosovës, qytetarët futen në evidenca penale vetëm kur ndaj tyre ekziston një dënim i formës së prerë. Në kundërshtim me këto standarde, “vërtetimi mbi të kaluarën kriminale” i cili lëshohet nga Policia e Kosovës paraqet edhe kallëzimet penale ndaj qytetarëve, në këtë fazë që në bazë të ligjit, kallëzimi penal nuk hyn as në kuadër të procedurës penale, por asaj parapenale. Në anën tjetër, institucionet e Republikës së Kosovës kushtëzojnë qytetarët me pajisjen e këtij vërtetimi në procedura të ndryshme në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, në punësim, në procedura të caktuara në nivel lokal etj”, ka thënë Shala.

Tutje, Shala ka thënë se përmes këtyre vërtetimeve, institucionet e Republikës së Kosovës, veçanërisht Policia e Kosovës po shkelin të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe ligj.

Po ashtu, ai ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka devijuar nga përcaktimet ligjore në momentin kur ka përcaktuar se në evidencat penale futen edhe të dhënat e dënimeve me gjobë, të cilat dënime sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës nuk shkaktojnë pasoja juridike.

Në anën tjetër, Yll Zekaj, Hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se sipas Ligjit për KGJK-në, KGJK është organi i mandatuar i cili menaxhon me evidencat penale në Republikën e Kosovës dhe se për të zbatuar këtë obligim ligjor, primare është që rregullorja e KGJK-së për Evidencat Penale të jetë në harmoni të plotë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Policia e Kosovës të dhënat nga evidencat penale mund t’i përdorë vetëm për politikat e saja në trajtimin e fenomeneve kriminale, për nevojat e sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor. Për këtë arsye Policia e Kosovës nuk ka kompetencë për lëshimin e certifikatave për të kaluarën kriminale të personave fizik dhe juridik. Institucionet e tjera, e veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme, duhet ta kuptojnë natyrën juridike të kallëzimit penal dhe procesit të hetimeve, pasojat juridike të procedurës penale dhe pasojat juridike të dënimit, në mënyrë që mos të cenojnë të drejtat e qytetarëve në mënyrë kundër kushtetuese dhe kundërligjore për faktin e vetëm se dikush ndaj tyre ka parashtruar një kallëzim penal”, ka thënë Zeka.

Tutje Zekaj ka thënë se Policia e Kosovës nuk duhet të lejojë që të bëhet mashë e disa personave për të dëmtuar dhe shantazhuar persona të tjerë me parashtrimin e kallëzimeve penale ndaj tyre, përkatësisht me futjen e tyre në këto evidenca penale, i cili fakt do t’i përjashtonte të njëjtit nga shumë procese dhe procedura që zhvillohen pranë institucioneve publike.

Po ashtu, Zekaj ka paraqitur edhe rekomandimet që IKD ka dhënë në këtë raport, ku ka thënë se Policia e Kosovës duhet të ndalojë lëshimin e certifikatave nga e kaluara kriminale për personat fizik dhe juridik.

KGJK të ndryshojë Rregulloren për Mbajtjen e Evidencave Penale dhe të njëjtën ta harmonizojë me KPRK-në në atë mënyrë që mos të krijohen pasoja juridike për dënimet me gjobë. Institucionet publike në Republikën e Kosovës të ndalojnë vënien e obligimit ndaj qytetarëve për tu pajisur me të ashtuquajturën certifikatën e së kaluarës kriminale apo vërtetimin mbi të kaluarën kriminale. Në secilin proces apo procedurë e cila zhvillohet pranë këtyre institucioneve, e mjaftueshme është certifikata e lëshuar nga Gjykatat, e cila bëhet në përputhje me rregullat e përcaktuara nga KGJK, të cilat rregulla duhet të jenë në përputhje me ligjet bazike Po ashtu, Institucionet publike të Republikës së Kosovës duhet të jenë të mirë informuara për natyrën juridike të kallëzimit penal dhe të fazës së hetimeve, në atë mënyrë që mos të persekutojnë qytetarët në mënyrë kundër kushtetuese dhe kundër ligjore. Në këtë drejtim Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës duhet të japë një kontribut të veçantë, ku ky kontribut duhet të jetë në dy drejtime: ndalimin e ambasadave dhe konsullatave të Republikës së Kosovës në vendet e tjera që ti obligojnë qytetarët që të pajisen me këtë dokument si dhe avokimin tek ambasadat e huaja në Kosovë, që tu shpjegojnë natyrën juridike të kësaj certifikate, kallëzimit penal dhe fazës së hetimeve, që qytetarët mos të përjashtohet as në procedurat që zhvillohen pranë këtyre ambasadave apo konsullatave të shteteve të huaja, për faktin e vetëm se ndaj tyre është i deponuar një kallëzim penal”, ka theksuar Zeka./21Media