Reagon FFK-ja dhe Flamurtari

Reagon FFK-ja dhe Flamurtari

Futbollisti serb Ilija Iviq, luan për Flamurtarin e Prishtinës dhe së fundi është ftuar nga U-19 e Kosovës.

Në një intervistë Iviq ka thënë se do të luante për Kosovën, ndërsa tani atij i janë larguar prindërit nga puna. Këtë lajm ia kanë kumtuar FFK-së drejtuesit e klubit kryeqytetas Flamurtari.

Nëpërmjet një komunikate, FFK-ja tha se “e dënojnë ashpër këtë akt qyqar të ndërmarrë nga drejtues të institucioneve që funksionojnë brenda sistemit të Republikës së Kosovës, por edhe të atyre të sistemit paralel serb, e që për qëllim kanë futjen e frikës tek bashkëqytetarët tanë serb, të cilët e shohin Kosovën si vendin e tyre dhe që duan të kontribuojnë në zhvillimin dhe ngritjen e saj edhe në futboll”.

Federata tutje tha se ky rast dëshmon se sa e vrazhdë është politika serbe ndaj bashkëkombasve të tyre që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe që duan që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në paqe dhe në harmoni me bashkëqytetarët e tjerë.

“FFK asnjëherë nuk i shikon futbollistët në baza kombësie, racore, përkatësie etnike apo fetare, por gjithmonë do të jetë e përkushtuar që t’i ftojë në kombëtaret e saj zinxhir futbollistët më meritorë. Me këtë rast kërkojmë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, por edhe nga UEFA e FIFA që të reagojnë fuqishëm në parandalimin e dukurive të tilla diskriminuese që vijnë në vazhdimësi nga shteti serb. Kjo është ndërhyrje e pastër e politikës në sport dhe duhet të dënohet nga të gjithë”, thuhet tutje në komunikatën e FFK-së.

Zyrtarë të klubit të futbollit Flamurtari, e kanë vlerësuar shqetësuese situatën nëpër të cilën po kalon futbollisti serb, Ilija Iviq.

Me shqetësimin më të madh jemi duke e përcjell situatën rreth presioneve mbi familjen e futbollistit, Ilija Iviq, të orkestruara nga qarqe të caktuara politike. Ne si klub, jemi në koordinim me instancat relevante për hapat e mëtejmë, njëkohësisht do të qëndrojmë pranë futbollistit dhe familjes së tij”, thuhet në reagimin e Flamurtarit.