Gashi edhe më parë ka qenë anëtar i KQZ-së nga PDK

Gashi edhe më parë ka qenë anëtar i KQZ-së nga PDK

Pas shumë kohë pritjesh, PDK ka dërguar emrin e anëtarit të kësaj partie në KQZ, ndërsa vendi i dytë duhet të ndahet mes AAK-së dhe Nismës. Pas zgjedhjeve parlamentare, koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) kishte dalë fituese, por në Komisionin Qendror Zgjedhor u takonin vetëm dy vende. Por, tri partitë pretendonin që të kenë anëtarët e tyre, sepse në Kuvend vepronin si grupe të pavarura parlamentare.

Presidenti Thaçi kishte kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese, nëse PAN do të përfaqësohet në KQZ si një subjekt i vetëm, apo si parti të ndara. Pas interpretimit të Kushtetueses, PAN mund të përfaqësohej vetëm me dy anëtarë. Deri më tani KQZ ka funksionuar pa përfaqësuesit e pozitës, pasi nuk kishin dërguar asnjë emër të presidenti. Tani PDK do ta ketë përfaqësuesin e vet. Me propozimin e liderit të PDK-së, Kadri Veseli në KQZ është akredituar Ilir Gashi, i cili edhe më parë ka qenë anëtar i KQZ-së nga PDK.

“Nder dhe privilegj, që me propozim të Kryetarit Z. Kadri Veseli, bëra betimin si anëtar i KQZ-së, para Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi! Betohem!”, shkroi Gashi në Facebook.