Inaugurohet sheshi “Skënderbeu”

Në kryeqytetin shqiptar u bë inaugurimi i sheshit “Skënderbeu”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ceremoninë e hapjes së sheshit “Skënderbeu” në Tiranë deklaroi se ky shesh është sheshi i të gjithë shqiptarëve nga të gjitha trevat, por edhe sheshi i identitetit tonë kombëtar e evropian.

“Besojeni ose jo është hera e parë në jetën time politike që nuk shkruaj dot një fjalim, hera e parë që mua me dridhen gjunjët. Kam kaluar në këtë shesh para disa javësh me Lindën (bashkëshorten e tij) vetëm, dhe nuk i mbaja dot lotët, sepse e kam besuar shumë fort, në zemër e në mendje me gjithë fuqinë e qenies sime se Shqipërisë, Tiranës i duhej ky shesh. Ka pasur momente që jam dorëzuar, kam menduar se ky shesh nuk do të bëhej kurrë dhe kur ecëm atë natë me Lindën më dukej e pabesueshme, por e mrekullueshme, që megjithëse zgjati plot 10 vjet, sheshi i ‘Skënderbeut’ rilindi dhe ambicia jonë për Tiranën fitoi”, deklaroi kryeministri Rama në fillim të fjalës së tij.

Rama shprehu mirënjohjen e tij për kreun e bashkisë, Erion Veliaj. “Pa diskutim nuk do të ishim këtu sot nëse nuk do të kishim lali Erin. I jam shumë mirënjohës që e rimori projektin dhe e çoi deri në fund”, tha ai.

Rama iu përgjigj edhe kritikëve të sheshit, duke thënë se nuk do të ishte një shesh kaq i bukur nëse nuk do të shahej siç u sha bulevardi dhe vet sheshi 8 vite më parë.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit u shfaq një program i pasur kulturor më këngë e vallë të folklorit shqiptar.

Back to top button