India fajëson Pakistanin për sulmin në Kashmir

Pakistani i kundërpërgjigjet Indisë

Sulmi i javës së kaluar në rajonin e Kashmirit që la 40 ushtarë indianë të vdekur, ka rritur tensionet mes Indisë dhe Pakistanit.

India ka akuzuar shtetin fqinj që qëndron pas këtij sulmi, përderisa Pakistani pas mohimit, ka deklaruar se do t’i hakmerret secilit veprim të Indisë.

Komandanti i ushtrisë indiane për rajonin e Kashmirit deklaroi se agjencia e inteligjencës së Pakistanit ishte e përfshirë në sulmin e javës së kaluar, që ishte pranuar nga një grup militant pakistanez.

“Sulmi në konvojin tonë ishte organizuar nga Pakistani dhe shërbimi i tyre i inteligjencës, si dhe grupi militant Jaish-e-Mohammad. Ne kemi disa informata, dhe po punojmë me to”, ka thënë K.J.S Dhillon.

Së paku 40 ushtarakë u vranë në një bombardim të një rruge në Kashmir, nga grupi militant pakistanez Jaish-e-Mohammad, shkruan rtv21.tv

India ka akuzuar Pakistanin që qëndron pas këtij sulmi, duke rritur tensionet mes vendeve fqinje të pasura me armë nukleare, mirëpo Pakistani mohon çdo përfshirje në këtë bombardim.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, tha se vendi i tij do të hakmerret nëse India ndërmerr veprime ushtarake kundër tij.

Komentet vijnë pasi dhjetëra ushtarë indianë u vranë javën e kaluar në një sulm vetëvrasës në rajonin e Kashmirit – pjesën e administruar nga India.

Në adresimin televiziv, Khan i bëri thirrje Indisë që të sjellë prova për pretendimet e saj, se Pakistani ka qenë i përfshirë në sulm.

“Së pari ju fajsuat Pakistanin pa asnjë provë, pa menduar se çfarë do të fitonte Pakistani nga kjo. Sot i bëj këtë ofertë Qeverisë indiane. Çfarëdo hetimi që doni të bëni për këtë rast, për të parë nëse kishte përfshirje pakistaneze, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Nëse keni informata se ka pasur përfshirje pakistaneze, na i ofroni neve, ju garantoj se do të ndërmarrim masa. Po dëgjojmë shumë zëra në Indi, nga mediat, politikanët se Pakistanit duhet treguar një mësim, se duhet të hakmerret kundrejt Pakistanit… Nëse ju ndjeni se duhet të bëni çfarëdo lloj sulmi drejt Pakistanit, Pakistani nuk do ta mendojë kundërpërgjigjen, por do të kundërpërgjigjet. Nuk do të ketë opsion tjetër për Pakistanin përpos goditjes”, ka thënë kryeministri i Pakistanit, Imran Khan.

Sulmi i ka rritur tensionet midis Indisë dhe Pakistanit – dy fuqive bërthamore që kanë bërë dy luftëra për kontrollin e Kashmirit./21Media

Back to top button