Pacientët të cilët ishin para spitalit për terapi fizikale në Shtip, dëshmojnë për kushtet e mjerueshme me të cilat ballafaqohen

Pacientët të cilët ishin para spitalit për terapi fizikale në Shtip, dëshmojnë për kushtet e mjerueshme me të cilat ballafaqohen

Ekipi i Inspektoratit sanitar dhe shëndetësor këtë fundjavë, pa paralajmërim gjatë natës e ka vizituar Klinikën në Shtip. Para tre javëve, TV21 informoi për kushtet e mjerueshme në këtë spital, ndërsa ekipi i inspektimit u bind për këtë. Sipas informatave, janë kryer kontrolle në departamentin e ortopedisë, kirurgjisë, në departamentin e sëmundjeve të syve dhe të veshëve dhe në departamentin e sëmundjeve infektive dhe të neurologjisë.

Ministri i shëndetësisë, Arben Taravari vërtetoi se u konstatuan kushte të këqija higjienike dhe lëshime në punë, por siç tha ai, raporti ende nuk është bërë. Ai paralajmëroi dënime për të gjithë drejtorë të cilët i kanë menaxhuar klinikat e tyre në mënyrë të keqe.

“Gjendja në Shtip është shumë e keqe. Inspektorët kanë gjetur sende të cilat nuk duhet të gjenden në një spital. Dua që ti shoh të gjitha raportet zyrtare nga inspektimi, dhe pas kësaj do ti prezantojmë këto informata”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetsisë.

Pacientët të cilët ishin para spitalit për terapi fizikale në Shtip, dëshmojnë për kushtet e mjerueshme me të cilat ballafaqohen.

“Banja është në gjendje shumë të keqe, është spital shtetëror prandaj është kështu, po të ishte privat do të ishte ndryshe. Tani kur po bëja dush, mu ndal uji. Nuk është lyer, gjithçka është shkatërruar.

Uji është i ftohtë, pishina ku e bëjmë terapinë është i papastër dhe uji është i ndotur”, u shprehën pacientët në spitalin e Shtipit.

Përveç dëshmive të pacientëve, në incizimet të cilat i siguroi TV21 shihen pllaka sanitare të thyera, mure të qëruara, vaska të prishura, ndërsa dyshemeja është e nxirë nga papastërtia. Para disa ditëve, ekipi i inspektimit pa paralajmërim ka vizituar disa departamente të Klinikës Nëna Terezë, ku janë hasur kushte të këqija higjienike dhe mosrespektim i etikës profesionale nga ana e punëtorëve shëndetësorë. Ministri Taravari deklaroi se javën e ardhshme do ti publikojë të gjithë raportet nga inspektimet e kryera nëpër klinika./21Media