Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër A.G., inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari A.G., me datë 03.10.2017, në fshatin Reçan të Komunës së Prizrenit, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar  me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj, dhe njëkohësisht i ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore.

Kështu, i akuzuari A.G., ditën kritike derisa po inspektonte objektin në ndërtim nga investitori H.K., pa fakte, konstaton në procesverbalin për inspektimin e kryer, se investitori ka respektuar pikat e kadastrit, duke i mundësuar investitorit të bëjë ndërtimin e objektit në rrjedhën e lumit Lumbardh, duke i mundësuar H.K., të uzurpojë një sipërfaqe prej rreth 155 metrash katror të pasurisë shoqërore në të cilën e ka ndërtuar një pjesë të objektit.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se i pandehuri A.G., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./21Media