INSTAT: Bien importet nga Gjermania

Gjermania si partner i dytë tregtar

Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë në 7 muajt e parë të këtij viti llogariten 7.1 % të totalit, duke e renditur vendin si partnerin e dytë tregtar, pas Italisë, e duke lënë pas Greqinë dhe Kinën.

Sipas statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT), me gjithëse Gjermania llogaritet partneri i dytë tregtar, importet prej saj ranë me 5.7 % dhe llogariten 10.9 % të totalit të mallrave të importuara. Ndërsa eksportet zunë 5.1 % të totalit të mallrave të eksportuar.

Referuar raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar nga INSTAT-i, importet për periudhën janar-korrik llogariten 29.473 milionë lekë dhe eksportet 6.455 milionë lekë.

Në vëllimin e importeve, kontribuesit më të mëdhenj ishin grupi “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, pasuar nga grupi “materiale ndërtimi dhe metale”.

Por, nëse grupi “makineri pajisje dhe pjesë këmbimi” ka patur rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 me 1.872 milionë lekë, grupi “materiale ndërtimi dhe metale” ka një përgjysmim të importit krahasuar me 2016. Nga 8.925 milionë lekë që janë importuar në 2016, shtatëmujorin e këtij viti u importuan vetëm 4.674 milionë lekë.

Bashkëpunimi ekonomik me Gjermaninë në vitet e ardhshme parashikon projekte të rëndësishme në fushën e infrastrukturës. Kontributi 25-vjeçar i Gjermanisë për Shqipërinë ka arritur në 1 miliardë euro duke u kthyer në partnerin tonë më të madh bilateral.

Rëndësi e veçantë pritet t’i jepet në këtë bashkëpunim edhe nxitjes së investimeve në sektorët strategjikë, si zhvillimi ekonomik, turizmi, bujqësia, transporti dhe infrastruktura, e kombinuar me nxitjen e punësimit dhe trajnimit profesional.

Back to top button