Presidenti tha se Beteja e Koshares, kapitull i rëndësishëm i fitoreve të UÇK-së

Presidenti tha se Beteja e Koshares, kapitull i rëndësishëm i fitoreve të UÇK-së

Me rastin e tubimit përkujtimor të betejes së Koshares e cili u organizua në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”, mori pjesë edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cili tha se para tetëmbëdhjetë vjetëve, në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak “Shigjeta”, duke hapur kështu një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.

“Për herë të parë në histori, Kosova ishte pjesë e tryezës diplomatike ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Nga kjo konferencë u krijua baza politike për fillimin e intervenimit të Aleancës Veriatlantike të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe”, tha Thaçi.

Beteja e Koshares rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, shtoi presidenti Thaçi, duke bërë që me forcë për herë të parë të thyhet kufiri ndarës Kosovë – Shqipëri dhe të mundet ushtria serbe në kufi.

“Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, që së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Përmes zonës së kontrolluar nga UÇK-ja do të hynin më lehtë edhe ndihmat humanitare për popullatën e zhvendosur brenda Kosovës. Thyerja e kufirit ishte mesazh se rruga e furnizimit me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshme edhe në atë kohë”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se sot dhe përgjithmonë do t’i përkujtojmë me respekt të thellë dhe përulje komandantët dhe ushtarët e tyre, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahun dhe qindra dëshmorë që ranë për lirinë e Kosovës.

Kreu i vendit theksoi se falë sakrificës së djemve dhe vajzave më të mira të vendit tonë, të burrave dhe grave, të martirëve dhe gjithë rezistencës qytetare, sot Kosova është shtet i lirë, sovran dhe demokratik.

“Nuk ka as shpifje, as çfarëdo qëndrimi armiqësor nga qarqe antishqiptare, që do të arrijnë ta njollosin luftën e drejtë dhe sakrificën sublime të luftëtarëve të lirisë. Institucionet e Kosovës do të jenë gardian i vlerave mbi të cilat është ngritur themeli i tyre. Kujdesi për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët do të jetë gjithmonë institucional”, u shpreh presidenti Thaçi.

Mbi këtë bazament, Thaçi tha se Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.

http://rtv21.tv/institucionet-e-kosoves-te-jene-gardian-vlerave/
Facebook Comment