Sonte shfaqet “UN Inspektori”

Sonte shfaqet “UN Inspektori”

Që nga e hëna kur filloi edicioni i 49-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, interesimi i audiencës ka qenë i lartë.

Artdashësit e këtij qyteti, kanë pasur shansin që mbrëmjen e së hënës të ndjekin shfaqjen “Shumë zhurmë për asgjë” me regji të Zana Hoxhës, të martën ndoqën “Një letër e humbur” të regjisorit Kushtrim Bekteshi, përderisa dje u mirëprit shfaqja e Fatos Berishës, “Zona e Pritjes”.

 

Teatri “Adriana” ka numër të vogël ulësesh krahasuar me interesimin e audiencës, thotë drejtori i këtij teatri, Fatmir Hyseni, shkruan rtv21.tv

Ai thekson se deri të premten, janë të shitura të gjitha biletat.

Salla ishte e mbushur plotë, për ta ndjekur shfaqjen e teatrit të Shkodrës, realizuar me regji të Fatos Berishës. Duartrokitjet për këtë shfaqje e bënë të ndjehet mirë regjisorin Berisha, i cili thotë se e njeh mirë audiencën e Ferizajit.

Edhe aktorja shkodrane Rita Gjeka, që është drejtoreshë e teatrit “Migjeni”, foli mirë për audiencën e këtij qyteti. Por, kjo nuk gjente fjalët për ta përshkruar ndjenjën që ia dhuruan.

Në anën tjetër, drejtuesi i Teatrit Shqiptar në Amerikë, aktori e regjisori Xhevat Limani, duke kujtuar herën e parë kur ka vizituar këtë teatër, tha se çdo qytet duhet ta ketë nga një festival.

Ndonëse edicioni i 49-të i këtij festivali po zhvillohet sipas planifikimit, sikur u theksua po vërehet një problem i madh, ulëset e teatrit janë të pakta për ta akomoduar audiencën e interesuar.

Për këtë, drejtori i teatrit “Adriana”, thotë se në të ardhmen mund të kenë bashkëpunime me teatrot e qyteteve të tjera. Ndërkaq regjisori ferizajas, Besim Ugzmajli, përmend disa detaje nga planifikimi për përvjetorin e 50-të të festivalit.

Në kuadër të festivalit të teatrove të Ferizaj, sonte shfaqet “UN Inspektori” me regji të Erson Zymberit, të premtën “Erdhi Godoja” me regji të Naser Shatrollit, e të shtunën shfaqet “Kanuni i gruas” e regjisores Arlinda Morina.

Festivali përmbyllet të dielën më 27 tetor, me një shfaqje të nikoqirit, teatrit “Adriana”./21Media