Haradinaj thotë se liberalizimi i vizave është çështje javësh

Haradinaj thotë se liberalizimi i vizave është çështje javësh

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se është çështje javësh derisa Kosova ta merr lajmin e merituar për liberalizimin e vizave, pasi shteti ynë ka përmbushur kriteret. Sipas Haradinajt, lajmi për liberalizimin e vizave është vetëm çështje jave.

“Mendoj që tani është çështje krejtësisht punë e javëve, ne jemi vonu, por është çështje jave ta marrim lajmin e merituar sepse i kemi përmbush kriteret”, tha ai.

Haradinaj i bëri këto komente gjatë vizitës në komunën e Fushe Kosovës, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Burim Berisha. Kreu i qeverisë e siguroi kryetarin Berisha se të gjitha temat që e preokupojnë Fushë Kosovën do të procedohen në Qeveri. “Janë disa kërkesa që duhet ndërhyrja e qeverisë nacionale. Hartat zonale janë të nevojshme se ka një presion nga bizneset dhe qytetarët, është çështja e komunikacionit dhe kalimit përmes qytetit. Edhe një rrethrrotullim është i nevojshëm, çështja e pronave. Fushë Kosova vuan nga mungesa e pronave që kish mujtë mi pas në shfrytëzim. I premtova kryetarit që të gjitha këto detyra do t’i procedojmë”, tha Haradinaj.

Ndërsa për mundësinë e aplikimit të Kosovës këtë vit në Interpool që do të mbahet në Kili, Haradinaj tha se ende nuk është hyrë në rend dite çështja e votimit.

Se a do të hyjmë në votim është çështje a kualifikohemi ne në agjendë, por edhe është vendim i yni se a duam të hyjmë apo jo në votim. Asambleja mbahet në Kili, një shtet që nuk e njeh Kosovën, kështu që e shqyrtojmë a do të hyjmë në agjendën e votimit apo jo”, tha Haradinaj.

Në nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai. Në vitin  2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. Në 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. /21Media